Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
KF Shiroka ka vendosur të bëjë ndryshime në stafin teknik, pas një fillimi jo të mirë të sezonit në Kategorinë e Dytë. Klubi shkodran është ndarë nga trajneri spanjoll Pablo Ríos Freire, i cili ishte emëruar në krye të skuadrës në prill të këtij viti dhe kishte marrë përsipër drejtimin e saj me objektivin për ta ngjitur në Kategorinë e Parë.
Largimi i tij vjen pas pesë javëve të para të kampionatit, në të cilat Shiroka ka arritur të grumbullojë vetëm 3 pikë, duke u pozicionuar në vendin e 11-të të renditjes. Një ecuri që ka bërë të nevojshme ndërhyrjen e drejtuesve dhe të presidentit Ergi Axhani, i cili tashmë duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për të ndryshuar situatën dhe për ta rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive.
Krahas Freire, janë larguar edhe zëvendëstrajneri spanjoll Jaime Ramia dhe Ardit Mani, i cili mbante gjithashtu postin e drejtorit sportiv të klubit. Ndërkohë, pas largimit të Freire, kanë filluar të përmenden edhe emrat e parë, por nga burime pranë presidentit Ergi Axhani mësohet se trajneri i ri do të jetë përsëri i huaj.
Për momentin, mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e Shirokës dhe cilat do të jenë lëvizjet e tjera në strukturën teknike. Synimi i klubit është të reagojë sa më shpejt, në mënyrë që skuadra të dalë nga kjo situatë dhe të mos largohet më shumë nga objektivat e vendosur në fillim të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


