Sunday, March 1, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREVIDEO/ Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vazhdon të shkëlqejë me Sassuolo U20. Gol...

VIDEO/ Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla vazhdon të shkëlqejë me Sassuolo U20. Gol dhe shtyllë ndaj Bolonjës

Shkruar nga Gjergj KOLA

Sulmuesi 18 vjeçar shkodran Gabriel Kulla vazhdon të shkëlqejë në kampionatin Primavera (të të rinjve U20) në Itali. Edhe në ndeshjen e rradhës, atë të luajtur ditën e sotme ndaj Bolonjës, ai ka bërë mirë duke qenë protagonist i një goli të shënuar për ekipin e Sassuolos dhe goditjen e një traverse.

Megjithatë këto nuk kanë mjaftuar që ekipi i tij të fitonte sepse në minutat e fundit ka pësuar tre gola dhe si rrjedhojë është mundur me rezultatin 1-4.

Gjithsesi paraqitja e Kullës ka qenë shumë pozitive. Në minutën e 18-të të ndeshjes kur rezultati ishte 1-0 në favor të Bolonjës dhe pas një kundërzbritje të shpejtë të ekipit të Sassuolos, sulmuesi shkodran ka goditur saktë me të djathtën dhe topi përfundon në rrjetë.

Ndërkohë një moment shumë interesant ka ndodhur në minutën e 74-të, kur Kulla ka goditur fort me të majtën nga një distancë prej 18-19 metrash dhe topi është përplasur në traversë dhe ai ka qenë i pafat se nuk ka përfunduar dot në rrjetë. Në këtë moment rezultati ishte 1-1 dhe nëse do kishte shënuar, nuk dihet si do të kishte shkuar ndeshja.

Megjithatë Bolonja ka reaguar në minutat e fundit duke shënuar tre herë njëra pas tjetrës dhe ka fituar. Në këtë përballje, portën e Sassuolo U20 e ka mbrojtur shkodrani tjetër Gabriel Guri.

Ndërkohë goli i sotëm i Gabriel Kullës ka qenë i 8-ti për të në kampionat. Një shifër kjo e kënaqshme kur ke parasysh se ai ka moshën për të luajtur edhe dy sezone të tjera në këtë kampionat. Nga ana tjetër shkodrani ka dhënë edhe 6 asiste dhe kësisoj këto janë shifra e tregues që tregojnë se është duke bërë një kampionat shumë të mirë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments