Shqipëria do të luajë kundër Polonisë në gjysmëfinalen e vlefshme për ëndrrën e Botërorit. I ftuar në emisionin Mega Sport që transmetohet në A2 CNN, ishte legjenda Vasil Ruci. Ai këmbënguli te pjesa e grumbullimit të Anis Mehmetit dhe Ernest Muçit te Kombëtarja për ndeshjen ndaj Polonisë, duke kërkuar minuta për ta.
“Ernest Muci dhe Anis Mehmeti duhen me patjetër në Kombëtare. Unë nuk e di se çfarë shije ka ky trajneri ynë. Ata janë lulja më e mirë që kemi për momentin, duhet t’i shfrytëzojmë. Muci është aseti i Shqipërisë, Brojës nuk dimë që t’ia merrnim më të mirën, nuk duhet të ndodhi edhe me Muçin.
Duhet të kuptojmë një gjë, është kaq e rëndësishme që Muci dhe Mehmeti që të jenë aty ndaj Polonisë, pasi edhe nëse ndodh që mos të fitojmë kundër Polonisë, atëherë është e sigurt se do të jenë vendimtar dhe pjesë e grupit për ndeshjet e ardhshme”, tha Ruci.
Ndërkohë legjenda e futbollit shqiptar ka dhënë edhe një ide ndryshe, sesi Shqipëria mund të fitojë me Poloninë. Sipas tij, ka vetëm një mundësi sesi Kombëtarja mund t’ia dalë dhe ajo është mesfusha, që mund të befasonte Poloninë. Ruci kërkon që Silvinjo të luajë me tre shkatërrues në mesfushë dhe që Kristjan Asllani të qëndrojë në stol.
Në këtë mënyrë, Kombëtarja do të ketë më shumë siguri në mesfushë dhe do të lejojë që Ernest Muci apo Anis Mehmeti të luajnë nga minuta e parë. Pra duke parë natyrën e tyre që në mbrojtje janë më të dobët, nëpërmjet tre shkatërruesve, do të ishte e mundur që të përdorej arsenali i fort sulmues. Për Vasil Ruci, Kristjan Asllani duhet të sakrifikohet në këtë ndeshje.


