E çuditshme, por sa herë që gjërat shkojnë mirë te Vllaznia, menjëherë krijohen opinione të tilla sa për të çorientuar situatën dhe në jo pak raste, çështja që përmendet është ajo e financave tek skuadra shkodrane. Një gjë e tillë ka qenë edhe pjesë e një debati në studion e emisionit “Skaner” në mes gazetarit sportiv Lirim Zalla dhe presidentit të Vllaznisë së femrave Lazer Matija.
Gazetari Zalla i është drejtuar presidentit Matija me pyetjen: “A është e sigurtë se financat do të jenë deri në fund të sezonit në rregull për Vllazninë?’ Dhe përgjigja e njeriut që është shumë pranë Alban Xhaferit është përgjigjur:
“Kjo pyetje realisht mund t’i drejtohet dikujt tjetër, por meqë ma bëre mua ngaqë jam afër ekipit dhe pjesë e strukturave të Vllaznisë, pavarësisht se drejtoj ekipin e femrave, po ju pëgjigjem. Mendoj se flitet shumë në media për këtë pjesë dhe them se një ndër elementët për të goditur Vllazninë është edhe ky, përmendja e çështjes së financave në mënyrë të vazhdueshme.
Ose edhe mbështetja politike që është përmendur prej dy vitesh kur Vllaznia po shkonte për të dalë kampion dhe njerëz të veçantë nëpër studio të ndryshme thuhej se “Vllaznia do ta nxirrte kampion Edi Rama ose politika”. Unë mendoj se çdo pjestar i klubit nuk duhet ta mbajë mendjen tek ato se çfarë flitet nga njerëz jashtë klubit.
Nëse ka problematika në klub, ato i bën publike klubi. Kushdo tjetër që interesohet për financat apo problematikat që ka Vllaznia, nuk ka pse i trumbeton nëpër media. Përderisa Vllaznia është në këto nivele, përderisa është në vend të parë dhe ka grupin më të plotë të lojtarëve (jam i bindur se e ka edhe grupin më të mirë nga gjithë ekipet e tjera), nuk ka pse të diskutohen problemet financiare.
Problemet në Shqipëri i ka kushdo, aq më tepër kush drejton ekip futbollit sepse Vllaznia asnjëherë nuk është drejtuar nga politikanë ose oligarkë. Vllaznia është drejtuar nga njerëz të qytetit të Shkodrës, nga njerëz që kanë biznese normale dhe normalisht vështirësitë në financa janë sidomos kur nuk ke një ligj sponsorizimi, kur nuk ke një mbështetje nga pushteti qendror apo lokal.
Megjithatë unë nuk mendoj se Vllaznia do të ketë probleme që të rrezikojnë apo të vënë në diskutim titullin kampion sepse çdo gjë është në rrugën e duhur. Ju garantoj se edhe sikur Vllaznia të mos paguajë asnjë lekë për lojtarët deri në fund të sezonit, me karakterin që kanë, me grupin që ekziston, mendoj se për ta sot është shumë më e rëndësishme me dal vetë kampion, me shpall skuadrën e tyre kampion, sesa të shohin pagesat.
Gjithsesi në dijeninë time klubi nuk ka asnjë problem me pagat dhe financat përderisa askush nuk ankohet për një gjë të tillë. Mendoj se Vllaznia duhet të shohë përpara dhe të mos merren me një problem të tillë që është prezent në të gjithë sportin shqiptar dhe jo vetëm në futboll”


