Shkruar nga Endri ÇINARI
North United ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore në historinë e tij, teksa është përballur me Vllaznia B. Ekipi më i ri i krijuar në Shkodër bëri kështu debutimin në një ndeshje, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.
Për skuadrën e drejtuar nga Erjon Mani, kjo ishte një provë e rëndësishme në prag të aventurës së parë në Kategorinë e Tretë. North United është ende në procesin e formimit të grupit dhe këto ndeshje shërbejnë për të krijuar më shumë kohezion dhe për të vlerësuar futbollistët.
Përballë ishte Vllaznia B, një ekip me më shumë eksperiencë dhe që këtë sezon synon ngjitjen në Kategorinë e Parë. Diferenca në cilësi u reflektua edhe në fushë, me kuqeblutë që triumfuan me rezultatin 4-2.
Megjithatë, për North United rezultati ishte në plan të dytë. Më shumë rëndësi kishte vetë përballja dhe mundësia që futbollistët të merrnin minuta, ndërsa stafi teknik të shihte më qartë gjendjen e skuadrës.
Kjo ishte vetëm ndeshja e parë për North United, që do të ketë ende kohë për të kompletuar grupin dhe përgatitur skuadrën për startin e Kategorisë së Tretë, që pritet të nisë në javën e dytë të tetorit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


