Vllaznia ka siguruar praninë mes katër skuadrave më të mira në Kupën e Shqipërisë, pasi ka mundur Bylisin edhe në ndeshjen e dytë të vlefshme për çerekfinalet e turneut, që u luajt në “Loro Boriçi”.
Pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë në transfertë, shkodranët vinin të qetë në këtë ndeshje kthimi dhe trajneri Martinin bëri rotacion të gjerë, duke ulur shumë titullarë në stol. Ekipi gjithsesi bëri detyrën në fushën e lojës, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-1 dhe duke administruar mirë fraksionin e dytë, teksa provoi deri në fund të gjente një tjetër gol që nuk erdhi.
Kështu, Vllaznia e sheh veten në garë edhe për trofeun e dytë për nga rëndësia në vendin tonë, ndërsa Bylisit i duhet të fokusohet të kampionati dhe lufta për mbijetesë.
VLLAZNIA-BYLIS 2-1
34′ Balaj, 44′ Pusi / 38′ Olavio


