Tuesday, March 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELirim Kastrati i dëmtuar, por Vllaznia pret rikthimin e një titullari para...

Lirim Kastrati i dëmtuar, por Vllaznia pret rikthimin e një titullari para Dinamos

Shkruar nga Endri ÇINARI

Situata e dëmtimeve vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në kampin e Vllaznisë në këtë fazë të sezonit në Kategorinë Superiore. Prej afro tre javësh tashmë pjesë e skuadrës në fushë nuk ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të formacionit, mbrojtësi i krahut të djathtë Erdenis Gurishta, mungesa e të cilit është ndjerë jo pak në radhët e kuqebluve.

30-vjeçari është jashtë fushave që prej përballjes ndaj Bylis Ballsh, e zhvilluar më 21 shkurt 2026, një ndeshje që përfundoi me humbjen 2-1 të shkodranëve. Që nga ai moment, zëvendëskapiteni i Vllaznisë nuk ka qenë i disponueshëm për stafin teknik, duke bërë që skuadra të duhet të gjejë alternativa në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Fillimisht dëmtimi i Gurishtës u konsiderua si një problem i lehtë fizik, që pritej të kalohej brenda një kohe relativisht të shkurtër. Megjithatë, rikuperimi ka zgjatur më shumë nga sa parashikohej, duke bërë që futbollisti të qëndrojë thuajse një muaj larg fushave të lojës, një periudhë jo e vogël në një moment delikat të sezonit.

Pavarësisht kësaj, në kampin shkodran ka optimizëm për gjendjen e mbrojtësit. Stafi mjekësor dhe teknik besojnë se rikuperimi i tij është drejt fazës përfundimtare dhe se lojtari mund të jetë sërish gati për të ndihmuar skuadrën në sfidat vendimtare që e presin në vazhdim.

Madje nuk përjashtohet mundësia që Erdenis Gurishta të rikthehet që në fundjavë, në përballjen ndaj Dinamos, e vlefshme për javën e 29-të të kampionatit. Një rikthim i tillë do të ishte një lajm shumë i mirë për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini, pasi zëvendëskapiteni konsiderohet një nga pikat më të forta dhe më të qëndrueshme të formacionit kuqeblu.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments