Vllaznia konsiderohet favoritja kryesore për fitimin e titullit kampion këtë sezon. Në një përfundim të tillë ka dalë edhe websiti i njohur “Football Meets Data” i cili është shumë i njohur për analizat statistikore, simulimet dhe probabilitetet në lidhje me kampionatet e ndryshme të futbollit në mbi 40 vende, por edhe të kompeticioneve të ndryshme.
Në një postim të fundit të tij, ky website shkruan: “Garë shumë emocionuese për titull në Shqipëri, me 3 ekipe brenda 2 pikëve, 8 javë para përfundimit të sezonit! 52 pikë Vllaznia, 52 pikë Elbasani, 50 pikë Egnatia. Modeli ynë e vendos Vllazninë si favorite relative me 47% (46.8) për t’ia dalë mbanë!”
Në vend të dytë për shanset e shpalljes kampion është Elbasani me 31.6 %, Egnatia vlerësohet e treta me këto shanse me 20.3 % ndërsa Partizani i katërti me vetëm 1.3 % shanse.
Kuptohet që “Football Meets Data” del në përfundime të tilla pasi ka analizuar me hollësi ecurinë e deritanishme të skuadrave, qëndrueshmërinë e tyre dhe shumë elementë të tjerë statistikorë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



