Kombëtarja shqiptare ka nisur stërvitjen e parë, për ndeshjet e “play off” të Botërorit. Në stërvitjen e parë mungonin tre lojtarë. Bëhet fjalë për Nazmi Gripshin, Myrto Uzunin dhe Ylber Ramadanin. Dy të parët mungojnë për shkak të largësisë dhe skuadrave ku luajnë, ndërsa Ramadani për shkak se u aktivizua mbrëmë me Leçen ndaj Romës.
Por ndërkohë stafi i kombëtares ka menduar për plotësimin e grupit duke marrë disa lojtarë nga kampionati shqiptar dhe ndër to janë edhe Artan Jazxhi, Muço Boçi dhe Xhoele Maçolli.
Përpos tyre në stërvitjen e pasdites së sotme kanë qenë të pranishëm edhe dy futbollistë të Vllaznisë. Bëhet fjalë për Elmando Gjinin dhe Gledian Pusin. Ata të dy do të jenë edhe nesër në stërvitje me kombëtaren dhe më pas do të kthehen në Shkodër për të vijuar programin me ekipin kuqeblu.
Kujtojmë se Kombëtarja do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Polonisë në Varshavë më 26 mars, ndërsa në rast fitoreje, do të luajë finalen e madhe për kualifikimin në Botëror, ndaj fituesit të Ukrainë-Suedi më 31 mars.


