Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kur nisi përgatitjet për sezonin e ri, Vllaznia kishte objektiva të mëdha, por edhe jo pak vështirësi. Merkatoja nuk solli të gjitha afrimet e dëshiruara, skuadra pësoi ndryshime në organikë dhe koha për të ndërtuar automatizmat ishte e kufizuar. Megjithatë, fitorja 2-1 në ndeshjen e parë ndaj Malishevës krijoi bindjen se kuqeblutë mund të hidhnin një hap të rëndësishëm në Europë.
Gjithçka ndryshoi në sfidën e kthimit, ku humbja e thellë 5-0 dhe eliminimi që në turin e parë të Conference League treguan një fytyrë krejt ndryshe të skuadrës. Tashmë sfida më e madhe për Edi Martinin është të rikthejë identitetin e ekipit. Vllaznia sezonin e kaluar u dallua për organizimin, disiplinën taktike dhe forcën si grup, por në ndeshjen e kthimit ndaj Malishevës munguan pothuajse të gjitha këto elemente. Skuadra humbi ekuilibrin mes reparteve, u ndëshkua në çdo gabim dhe nuk arriti të reagojë në momentet më të vështira të takimit.
Eliminimi europian duhet të shërbejë si një kambanë alarmi, por jo si fundi i projektit. Merkatoja mbetet ende e hapur dhe drejtuesit kuqeblu pritet të ndërhyjnë për ta përforcuar grupin. Stafi teknik, me në krye trajnerin Edi martini duhet të gjejë sa më shpejt formulën e duhur, të integrojë afrimet dhe t’u japë besim futbollistëve që do të mbajnë peshën e sezonit. Kampionati është objektivi kryesor dhe Vllaznia nuk ka shumë kohë për të reflektuar, pasi duhet të paraqitet ndryshe që në javët e para.
Eliminimi nga Europa ishte një goditje e rëndë, por sezoni sapo ka nisur. Prova e vërtetë për Vllazninë tani është Superliga, ku pritet të tregojë nëse disfata në Kosovë ishte vetëm një aksident apo një sinjal i problemeve më të thella. Reagimi i skuadrës në ndeshjet e ardhshme do të tregojë karakterin e këtij grupi dhe aftësinë e Edi Martinit për ta rikthyer Vllazninë në rrugën e rezultateve pozitive.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


