Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka hasur ndalesën e parë në shtëpi pas një ecurie mbresëlënëse, duke barazuar 0-0 ndaj Dinamos në “Loro Boriçi”, në një sfidë që nuk prodhoi gola, por që solli fundin e një serie të gjatë fitoresh për kuqeblutë para tifozërisë së tyre. Ky rezultat, ndonëse nuk konsiderohet një hap fals në aspektin e pikëve, prish disi ritmin perfekt që skuadra kuqeblu kishte ndërtuar në muajt e fundit në Shkodër.
Barazimi ndaj kryeqytetasve është ndalesa e parë për Vllazninë në shtëpi që prej datës 14 dhjetor 2025, kur shkodranët u ndalën në një tjetër barazim, 1-1 ndaj Bylisit, në kuadër të javës së 16-të të Superiores. Që nga ajo ndeshje, ekipi kishte hyrë në një formë të shkëlqyer, duke kthyer “Loro Boriçin” në një fortesë të vërtetë për çdo kundërshtar.
Në harkun kohor pas atij barazimi, Vllaznia kishte zhvilluar plot 8 ndeshje në shtëpi, mes kampionatit dhe Kupës, duke njohur vetëm një rezultat: fitoren. Një seri e tillë jo vetëm që ngriti moralin e skuadrës, por edhe rriti besimin e tifozëve, të cilët e panë ekipin e tyre të dominonte çdo kundërshtar në fushën e vet.
Skuadra e drejtuar nga Martini kishte krijuar një identitet të qartë loje në Shkodër, duke qenë agresive në sulm dhe e disiplinuar në mbrojtje.
Pikërisht kjo formulë i kishte dhënë sukses të vazhdueshëm, duke e bërë Vllazninë një nga ekipet më të forta në shtëpi në këtë sezon. Megjithatë, përballë Dinamos, kjo makineri nuk funksionoi si zakonisht, duke lënë dy pikë në një ndeshje ku pritshmëritë ishin për fitore.
Por, pavarësisht këtij barazimi, bilanci i përgjithshëm i Vllaznisë në “Loro Boriçi” mbetet për t’u admiruar. Një ndalesë e tillë mund të shërbejë edhe si një sinjal reflektimi për skuadrën, për të rikthyer përqendrimin maksimal në sfidat e ardhshme, sidomos në një fazë të sezonit ku çdo pikë ka një peshë të madhe.
Në fund, barazimi ndaj Dinamos nuk e zbeh ndjeshëm ecurinë pozitive të kuqebluve, por padyshim që prish një traditë perfekte që kishte filluar të konsolidohej në Shkodër. Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i ekipit të Martinit në ndeshjet e ardhshme, për të kuptuar nëse kjo ishte thjesht një ndalesë e përkohshme apo një sinjal për më shumë kujdes në vijim.


