Sonte, Varshava do të jetë epiqendra e ëndrrës kuqezi. Në orën 20:45 Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë të Play-off-it të Botërorit 2026 kundër Polonisë.
Në një lidhje direkte nga Varshava për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, gazetari i njohur sportiv Ervin Baku ka përcjellë atmosferën, emocionet dhe detajet teknike përpara asaj që ai e cilëson si një “ndeshje historike për futbollin shqiptar”.
Sipas Bakut, qyteti është i veshur i gjithi kuqezi. Rreth 4500 tifozë shqiptarë pritet të mblidhen në Varshavën e vjetër, pikërisht te Statuja e Sirenës, për të festuar pragndeshjen. Gazetari thekson se, pavarësisht rëndësisë së takimit, presioni nuk rëndon mbi djemtë tanë. “Është një peshë shumë e madhe, por fatmirësisht presionin e kanë polakët. Ne kemi ardhur këtu për të fituar”, u shpreh Baku, duke shtuar se beson në përsëritjen e historisë së 11 tetorit, kur Shqipëria triumfoi në Beograd.
Atmosfera e zjarrtë e tifozëve shqiptarë po ndjehet kudo në Poloni. Gazetari e përshkruan si një “uragan kuqezi” që po “pushton” vendin. Gjatë udhëtimit të tij me makinë nga Gjermania, ai rrëfeu një episod. “I shoh polakët e trembur. Kemi ardhur me makinë nga jugu i Gjermanisë, kemi bërë mbrëmë 1232 km. Kur kemi hyrë në tokën polake, mbrapa në makinë kemi pasur kapelet me simbolet shqiptare dhe na ndaloi një polici private duke na pyetur se ku po shkojmë. Polakët e ndjejnë uraganin kuqezi”.
Për tifozët tanë që kanë udhëtuar me makina, organizimi është i mirëmenduar. Automjetet duhet të kenë një fletë A4 me shkronjën “A” në xham për të hyrë në parkimin e dedikuar. Një lajm i mirë është se bileta e ndeshjes shërben edhe si biletë falas për transportin publik.
Siguria është në nivele maksimale. Presidenti i Federatës Polake i ka konfirmuar Bakut se kjo ndeshje konsiderohet më sensitive se ajo kundër Holandës. Një fakt shqetësues mbetet vendimi i polakëve për të lejuar në stadium ultrasit, të cilët Baku i cilëson si “de facto huliganë të vërtetë”.
Sa i përket anës teknike, Baku shprehet se Silvinjo ka ruajtur fshehtësi totale, por beson se Ernest Muçi, në formë të shkëlqyer te Trabzonspori dhe Anis Mehmeti do ta nisin si titullarë.
Ndërkohë, Baku ndan një “sekret” nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.“Presidenti Duka më tha se ka një bindje të plotë që do t’i kalojmë polakët. Nëse fitojmë sot, rruga drejt Botërorit kalon më 31 mars, ose në Stokholm kundër Suedisë, ose në Valencia kundër Ukrainës”.
Ndonëse sytë janë te ylli i Barcelonës, Levandovski, Baku paralajmëron se rreziku i vërtetë vjen nga mesfusha dhe talentet e reja. “Nuk duhet të fokusohemi shumë te Levandovski. Kombëtarja duhet të bëjë kujdes nga Zielinski, një mesfushor në një formë të shkëlqyer. Duhet të bëjë kujdes nga talenti 17-vjeçar, Pietushevski që luan me Porton”.
Në të njëjtën kohë me ndeshjen e Shqipërisë, luan edhe Kosova kundër Sllovakisë. Baku shprehu keqardhjen për mbivendosjen e orarit, por theksoi rëndësinë diplomatike të kësaj sfide. “Sllovakia, që nuk e njeh Kosovën si shtet, do ta njohë atë nëpërmjet futbollit”.
Me një mesazh motivues, Ervin Baku mbylli raportimin e tij duke kërkuar që 3500 shqiptarët në stadium të bëjnë më shumë zhurmë se 55 mijë. “Kjo hyn tek ato ndeshje ku trajneri nuk ka nevojë të të motivojë. Presionin le t’ia lënë polakëve. Djemtë tanë janë në gjendje optimale, janë të karikuar dhe besoj fort që do të japin më të mirën. Uroj që të na bëjnë krenarë”.


