Vllaznia “B” ka barazuar sot në Tiranë ndaj rivales së saj kryesore- Dinamo “B” dhe me këtë rezultat tashmë ajo duket se është e sigurtë drejt arritjes së objektivit, shpalljes kampion në kategorinë e tretë.
Ndeshja në mes dy skuadrave pretendente të kësaj kategorie është luajtur pasditen e sotme në Arbanë të Tiranës dhe është mbyllur në shifrat e barabarta 1-1, rezultat ky që favorizon kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi.
Ata kanë kaluar të parët në avantazh me anë të futbollistit Enes Papaj dhe me këtë gol është mbyllur pjesa e parë. Ndërkohë në pjesën e dytë, Diane ka barazuar për vendasit por më pas nuk do të kishte asgjë tjetër dhe si rrjedhojë dy ekipet kanë ndarë nga një pikë.
Me këtë rezultat favorizohet Vllaznia “B” e cila tashmë e sheh veten shumë pranë sigurimit të titullit kampion dhe ngjitjes një kategori më lart. Kjo duket çështje e mbyllur dhe thjesht duhet pritur vetëm java e fundit e kampionatit, për ta zyrtarizuar atë.


