Tuesday, March 31, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREDueli ndaj Partizanit, tek Vllaznia janë 4 'ish-ë' të kryeqytetasve

Dueli ndaj Partizanit, tek Vllaznia janë 4 ‘ish-ë’ të kryeqytetasve

Shkruar nga Endri ÇINARI

Para përballjes mes Partizanit dhe Vllaznisë, vëmendja nuk është vetëm te rëndësia e ndeshjes për renditjen, por edhe te historitë personale të disa futbollistëve që kanë veshur të dyja fanellat. Aktualisht, katër lojtarë të skuadrës shkodrane kanë një të kaluar te të kuqtë, duke e bërë këtë duel edhe më interesant në aspektin individual.

Emri më i njohur mes tyre është Esat Mala, i cili ka qenë një nga pjesët e rëndësishme të Partizanit në sezonin 2018-19, kur skuadra u shpall kampione. Mesfushori ka lënë gjurmë gjatë kohës së tij në kryeqytet, duke qenë një element i rëndësishëm në repartin e mesit dhe duke kontribuar në arritjen e objektivave madhorë të klubit.

Një tjetër lojtar që ka një të kaluar të konsiderueshme me Partizanin është edhe Esin Hakaj. Mbrojtësi i majtë ka qenë pjesë e disa sezoneve me të kuqtë, ku ka pasur aktivizime të rregullta dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm me “demat” .

Në listën e ish-lojtarëve të Partizanit që sot janë pjesë e Vllaznisë përfshihet edhe Ensar Tafili. Ai ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të klubit kryeqytetas, duke u formuar në akademinë e “demave”, përpara se të vazhdonte rrugën e tij si profesionist tek kuqeblutë.

Ndërkohë, një eksperiencë më të shkurtër me Partizanin ka pasur Sherif Kallaku. Mesfushori ofensiv, që aktualisht është pjesë e Vllaznisë, nuk ka qëndruar gjatë te të kuqtë, por gjithsesi përfshihet në listën e lojtarëve që kanë lidhje me të dy klubet.

Në krahun tjetër, te Partizani, vetëm një futbollist mund të konsiderohet si ish-lojtar i Vllaznisë. Bëhet fjalë për Nebi Qokthin, sulmuesin e ri që është produkt i akademisë shkodrane. Ai përfaqëson të vetmin lidhje aktuale të të kuqve me klubin verior, në një përballje ku historitë e përbashkëta janë më të shumta në radhët e Vllaznisë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments