Friday, April 3, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFaza finale e sezonit, Esat Mala 'garanton' për Vllazninë

Faza finale e sezonit, Esat Mala ‘garanton’ për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të fazës më vendimtare të sezonit, vëmendja te Esat Malen po rritet ndjeshëm, teksa mesfushori 27-vjeçar i Vllaznia pritet të jetë një nga figurat kyçe për skuadrën kuqeblu. Futbollisti nga Prizreni ka treguar vazhdimësi dhe peshë në lojën e ekipit, duke u shndërruar në një element të pazëvendësueshëm në skemat e trajnerit.

Deri në këtë pikë të sezonit, Mala ka qenë një nga protagonistët absolutë për ekipin e drejtuar nga Martini. Performancat e tij kanë qenë vendimtare jo vetëm në ndërtimin e lojës, por edhe në konkretizimin e aksioneve, duke i dhënë Vllaznisë një dimension më të plotë në mesfushë dhe sulm.

Statistikat flasin qartë për ndikimin e tij në fushë: tre gola të shënuar në kampionat dhe plot tetë asistime, duke u renditur si futbollisti me më shumë pasime vendimtare që janë shndërruar në gol. Kjo e bën Malen jo vetëm një organizator të mirëfilltë, por edhe një faktor direkt në rezultatet pozitive të skuadrës.

Me eksperiencën që zotëron dhe formën që po kalon, numri “20” i kuqebluve pritet të jetë një armë e fortë në javët e mbetura. Në një kohë kur gara për objektivat bëhet gjithnjë e më e ashpër, prania e tij në fushë mund të bëjë diferencën mes suksesit dhe dështimit.

Tashmë, te Vllaznia besojnë se Malen do të vazhdojë të jetë një lider i heshtur, por tejet efektiv, duke udhëhequr skuadrën drejt synimeve të saj në këtë fazë kulminante të sezonit. Nëse ruan këtë ritëm, ai pritet të mbetet një nga emrat më të spikatur të kampionatit deri në fundin e tij.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments