Shkruar nga Endri ÇINARI
Tek Vllaznia ka nisur puna intensive për ndërtimin e skuadrës së sezonit 2026-27 dhe merkatoja në hyrje pritet të jetë prioritet absolut për drejtuesit kuqeblu. Pas një vere të karakterizuar nga shumë largime, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit janë të detyruar të lëvizin me shpejtësi në treg për të gjetur elementët e duhur që do të plotësojnë boshllëqet e krijuara në grup.
Sipas informacioneve, shkodranët po monitorojnë me vëmendje kampionatet e rajonit, duke pasur në fokus veçanërisht Superligën e Kosovës, elitën e Malit të Zi, kampionatin maqedonas dhe atë boshnjak. Këto tregje konsiderohen të përballueshme financiarisht, por njëkohësisht ofrojnë futbollistë me eksperiencë dhe cilësi që mund të përshtaten shpejt me futbollin shqiptar.
Në zyrat e klubit po analizohet një listë e gjerë emrash, ndërsa kontaktet e para me disa futbollistë dhe përfaqësues të tyre mësohet se kanë nisur prej ditësh. Vllaznia synon të afrojë lojtarë që mund të japin menjëherë kontribut në formacionin titullar, duke shmangur sa më shumë investimet afatgjata tek elementë që kërkojnë kohë për t’u përshtatur.
Nevoja për përforcime është bërë edhe më e madhe pas largimeve të shumta që kanë prekur skuadrën gjatë javëve të fundit. Disa futbollistë kanë mbyllur kontratat, të tjerë kanë përfunduar huazimet, ndërsa disa emra të rëndësishëm nuk do të jenë më pjesë e kuqebluve në sezonin e ardhshëm. Kjo ka krijuar hapësira të konsiderueshme në disa reparte, duke e bërë merkaton hyrëse një domosdoshmëri.
Me përgatitjet që tashmë kanë nisur, drejtuesit e Vllaznisë synojnë që një pjesë e mirë e afrimeve të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që trajneri Edi Martini të ketë në dispozicion grupin pothuajse të plotë gjatë fazës kryesore të përgatitjeve. Ditët dhe javët në vijim pritet të sjellin zhvillime konkrete, ndërsa tifozët shkodranë presin me interes emrat që do të veshin fanellën kuqeblu në sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


