Italia i dha lamtumirën pjesëmarrjes në Botëror pasi u mund në play-off nga Bosnjë Hercegovina me penallti. Një ndeshje që u dha fund ëndrrave të të kaltërve për të shkuar në turneun më të famshëm për ekipe përfaqësuese, e gjithashtu edhe për një… premio.
Mediat italiane bëjnë të ditur se futbollistë e Italisë kishin zhvilluar bisedime me pjesëtarë të Federatës për një premio në rast kualifikimi. Bëhej fjalë për një premio prej rreth 300 mijë eurosh, që nënkuptonte rreth 10 mijë euro për çdo lojtar pjesëmarrës.
“Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se premio në fjalë nuk do të jepej me para, duke llogaritur se për shumë prej futbollistëve milionerë në listë, ishte një vlerë e ulët. Por mendohej që të bëhej një dhuratë e personalizuar, si për shembull një orë luksoze, në të cilën të përkujtohej arritja e futbollistëve që kthyen përsëri Italinë në Botëror.
Për fatin e keq të italianëve, gjithçka mbeti një ëndërr dhe plani i tyre për këtë premio dështoi në ndeshjen në Zenica.


