Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur mbarë play off-in e kampionatit. Në ndeshjen e parë të turit çerekfinal, atë ndaj Teutës, luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, basketbollistët e drejtuar nga trajneri Eni Llazani kanë fituar me 45 pikë diferencë ndaj durrsakëve.
Ndeshja ka nisur deri diku me rivalitet dhe është dashur gati të përfundojë minuta e dytë e saj për të shënuar pikët e para. Me kalimin e minutave vendasit e rrisin lojën e tyre dhe falë një loje të mirë edhe në mbrojtje e mbyllin periodën e parë me shifrat 18-12 në favor të tyre.
Edhe e dyta është thuajse e njëjta histori dhe sërish fiton Vllaznia 18-13 duke shkuar në pushimin e takimit me një epërsi prej 13 pikësh në favorin e saj. Ndërkohë në dy periodat e fundit të ndeshjes nuk do të kishte shumë histori. Sidomos perioda e tretë do të vendoste gjithçka. Ajo do të fitohej me rezultatin e thell 31-6 dhe këtu merr fund gjithçka ndonëse duheshin luajtur edhe 10 minutat e fundit që vulosin shifrat 26-17.
Përfundimisht një fitore e thellë e Vllaznisë në shifrat 93-48 e cila fiton ndeshjen e parë ndaj Teutës. Ditën e shtunë do të luhet ndeshja e dytë, këtë herë në Durrës. Në rast fitoreje të kuqebluve do të mbyllet gjithçka këtu pa patur nevojë të luhet një ndeshje e tretë në Shkodër të mërkurën tjetër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


