Vllaznia “B” merr një tjetër fitore në kampionat dhe tashmë është vetëm 270 minuta larg arritjes sëë objektivit, ngjitjes në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar. Mesditën e sotme kuqeblutë kanë fituar me rezultatin e thellë 8-1 në “derbin” me KF Shkodra.
Kjo përballje është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe nuk ka patur shumë histori sepse djemtë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi kanë qenë dominues në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit.
Dy prej golave në ndeshjen e sotme mbajnë firmën e futbollistit Aris Ara dhe po ashtu nga dy gola kanë shënuar edhe Klajti Halili dhe Allele, ndërsa nga një gol kanë shënuar Ehren Hoxha dhe Naza. Përfundimisht 8-1 dhe me fitoren e sotme ekipi Vllaznia “B” ngjitet në kuotën e 35 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje, duke qenë e shkëputur tre pikë nga Dinamo “B” që mban vendin e dytë.
Në tre javët e fundit të kampionatit Vllaznia “B” do të luajë në transfertë me Kamza Sport, më pas në Shkodër me Beksat, për ta mbyllur kampionatin në transfertë me ekipin e Bulqizës. Kuptohet që synimi është fitorja e të tre këtyre ndeshjeve dhe kjo është mëse e mundshme për vlerat që po shfaq ky ekip në rrugëtimin e tij drejt kategorisë së parë.
Ndërkohë përpara fillimit të ndeshjes së sotme, futbollistët dhe stafi i Vllaznia “B” kanë patur edhe një dedikim për punonjësin e klubit Aranit Gjika i cili u aksidentua tre ditë më parë dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Tiranës. Lojtarët kanë patur në duar edhe një fanellë ku shkruhej: “Shërim të shpejtë, Api”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


