FAQJA E PARE KRYESOREOPINION/ FLAMURTARI ËSHTË EKIP SHQIPTAR, APO JO?DERI KËTU PO ARRIJMË TË KUPTOJMË...

OPINION/ FLAMURTARI ËSHTË EKIP SHQIPTAR, APO JO?DERI KËTU PO ARRIJMË TË KUPTOJMË E VENDOSNIM!

Nga Dr. Harilla J. Marku

Kur drejtësia në fushën e lojës bëhet luks, atëherë futbolli humbet kuptimin e tij, Flamurtari nuk kërkon favore, por vetëm drejtësi. Flamurtari është ekip shqiptar apo jo? Kaq duhet të jemi në gjendje të vendosim, sepse, duke parë mënyrën se si trajtohet kjo skuadër, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një ekip që duhet të luftojë jo vetëm kundër kundërshtarëve në fushën e lojës, por edhe kundër një sistemi gjykimi që, në jo pak raste, i ka shkaktuar dëme të rënda.


Dihet se në futbollin shqiptar ekziston prej kohësh një perceptim për njëanshmëri në trajtimin e skuadrave, sidomos atyre që vijnë nga jugu i vendit. Nuk dua të bëj ndarje krahinore, as të nxis përplasje mes Veriut dhe Jugut, futbolli shqiptar është një dhe fanella e çdo klubi ka të njëjtën vlerë, por kur padrejtësitë përsëriten, heshtja bëhet bashkëfajësi.

Dua ta them që në fillim: personalisht nuk jam tifoz i Flamurtarit! Jam gazetar, studiues dhe njeri i sportit, kam punuar, jetuar dhe kontribuar për futbollin shqiptar, më intereson gara e ndershme, respektimi i rregullave dhe dinjiteti i çdo klubi, prandaj nuk mund të hesht kur shoh se Flamurtari, në shumë prej ndeshjeve të tij, përballet me vendime arbitrale që ngrenë pikëpyetje serioze.

Dhe këtu qëndron paradoksi.

Në një kohë kur futbolli shqiptar ka nevojë për modele të përgjegjshmërisë dhe administrimit, Flamurtari ka një drejtues si presidenti Sinani, të cilit i duhet njohur puna për përpjekjet në organizimin e klubit. Një klub që synon të respektojë kontratat, të kryejë pagesat në kohë, të përmbushë detyrimet ndaj shtetit, të kujdeset për sigurimet e futbollistëve dhe punonjësve, si dhe të investojë në infrastrukturë e në stadium.


Këto janë standarde që duhen përshëndetur dhe inkurajuar. Janë pikërisht ato që duhet të kërkojmë nga çdo president dhe drejtues klubi në Shqipëri.
Por çfarë ndodh në fushë? Në vend që këto përpjekje të vlerësohen dhe skuadra të gjykohet me paanshmëri, Flamurtari vazhdon të përballet me episode që shkaktojnë indinjatë.

Ndeshja e Peshkopisë me Korabin është një tjetër kambanë alarmi, në takimin e javës së dhjetë të Kategorisë së Parë, të luajtur më 8 nëntor, në stadiumin e Korabit, pati pretendime të shumta për episode të diskutueshme në zonat e rrepta.
Raportimet e drejtpërdrejta evidentuan pretendime për penallti nga të dyja skuadrat, ndërsa Flamurtari protestoi edhe për një prekje të topit me dorë në zonën kundërshtare.

Por pyetja që shtrohet është: a u analizuan këto episode me të njëjtin standard? A u morën vendimet e duhura? A kishte arsye për të mos akorduar penalltitë që pretendonte Flamurtari?

Këto nuk janë pyetje që mund të mbyllen me një bilbil arbitri. Kërkojnë analizë të pamjeve filmike, transparencë dhe një vlerësim serioz nga organet përkatëse të arbitrimit. Dhe problemi nuk është vetëm një ndeshje.


Që në javën e parë të kampionatit, në takimin Besa–Flamurtari, të përfunduar 3-3, u ngritën pretendime serioze për një gol të Besës, ku u diskutua pozicioni jashtë loje i autorit të tij. Edhe specialistë të moviolës reaguan publikisht për këtë episod.

Pra, kemi të bëjmë me një histori episodesh që meritojnë të shqyrtohen, jo me një pakënaqësi të çastit të një klubi pas një rezultati të pafavorshëm.

Dhe këtu lind një shqetësim edhe më i madh: nëse këto situata ndodhin në ndeshje që transmetohen në televizion, ku pamjet mund të shihen nga mijëra njerëz, çfarë ndodh në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, në ndeshjet që nuk transmetohen, ku publiku nuk ka mundësi të shohë dhe të gjykojë vetë?

Aty ku mungon kamera, duhet të jetë edhe më e fortë përgjegjësia e arbitrit!
Nuk po akuzojmë askënd se merr para, nuk po bëjmë gjyq pa prova dhe nuk po i atribuojmë askujt motive të paligjshme. Por kur vendimet e gabuara përsëriten, kur të njëjtat situata gjykohen me standarde të ndryshme dhe kur një klub ndihet vazhdimisht i dëmtuar, atëherë dyshimet duhet të marrin përgjigje institucionale.

FSHF-ja, Komisioni i Arbitrimit dhe strukturat përgjegjëse nuk mund të mjaftohen me heshtjen, duhet të analizojnë pamjet, të publikojnë vlerësimet dhe të mbajnë përgjegjësi për cilësinë e gjykimit.
Një tjetër çështje është edhe dëmi sportiv, Flamurtari, përpara ndeshjes së Peshkopisë, kishte grumbulluar 15 pikë në nëntë takime dhe renditej në grupin e skuadrave pretendente. Çdo pikë e humbur apo e mohuar nga një vendim i gabuar mund të ndikojë drejtpërdrejt në objektivin e ngjitjes në Superiore.


Nëse pretendimet për tetë pikë të humbura nga vendimet arbitrale do të konfirmoheshin pas një analize të pavarur të episodeve, atëherë do të flisnim për një ndikim të jashtëzakonshëm në renditje. Nuk është pak, është diferenca mes një skuadre që lufton për kreun dhe një skuadre që mund të gjendet shumë më lart në klasifikim.
Flamurtari është më shumë se një skuadër futbolli, është historia e një qyteti, është krenaria e Vlorës, është një emër që ka dhënë futbollistë, emocione dhe kujtime të mëdha për sportin shqiptar, është një klub me traditë, me tifozëri dhe me peshë në historinë e kampionatit tonë.
Prandaj duhet më shumë kujdes, më shumë respekt dhe më shumë përgjegjësi nga të gjithë aktorët e futbollit shqiptar.
Nuk kërkojmë që Flamurtarit t’i falen penallti, nuk kërkoj që t’i jepen pikë që nuk i meriton, nuk kërkoj që arbitrat të ndikojnë në favor të tij. Përkundrazi!
Kërkojmë që Flamurtarit të mos i mohohet ajo që meriton, kërkojmë që arbitrat të mos jenë protagonistë të ndeshjeve, por garantë të drejtësisë sportive.

Dhe një pyetje të fundit për ata që drejtojnë futbollin shqiptar:
A është Flamurtari një ekip shqiptar, që meriton të njëjtin respekt dhe të njëjtën drejtësi si çdo skuadër tjetër, apo duhet të vazhdojë të luftojë edhe me arbitrat për të fituar të drejtën e tij në fushën e lojës?

Flamurtari i përket Vlorës, por historia e tij i përket futbollit shqiptar. Dhe futbolli shqiptar nuk ka luksin të humbasë asnjë nga emrat e tij të mëdhenj për shkak të gjykimeve të diskutueshme. Drejtësi për Flamurtarin! Drejtësi për futbollin shqiptar!

Shënim: Ky është një qëndrim personal dhe profesional, i shkruar në interes të futbollit dhe të garës së ndershme. Nuk ka lidhje me ndonjë interes klubi apo tifozerie

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments