Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia e femrave, një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, ndodhet përballë një situate alarmante. Një skuadër që ka shkruar histori, duke u renditur mes 32 ekipeve më të mira të Europës dhe duke u përballur me gjigantë të futbollit kontinental si Chelsea,
Real Madrid e shumë të tjerë, tashmë rrezikon të shpërbëhet. Pas vitesh dominimi në futbollin shqiptar dhe përfaqësimesh dinjitoze në arenën europiane, kur pritej që ky projekt të mbështetej edhe më shumë për të synuar suksese të tjera, situata po shkon në drejtimin e kundërt.
Në vend të investimeve dhe konsolidimit, Vllaznia e femrave po përballet me rrezikun e shuarjes si ekip. Pas largimit të presidentit Lazër Matija, drejtimi i klubit mbeti në duart e Alban Xhaferit. Megjithatë, duket se administrimi i dy skuadrave në të njëjtën kohë është kthyer në një barrë të vështirë.
Vështirësitë financiare dhe problemet me pagesat në ekipin e meshkujve e bëjnë edhe më të komplikuar menaxhimin e një projekti të dytë, siç është ai i futbollit të femrave.
Është vërtet për të ardhur keq që një skuadër me një histori të tillë, me trofe të shumtë në Shqipëri dhe me një emër të krijuar edhe në Europë, të arrijë në këtë pikë. Vllaznia e femrave nuk është thjesht një ekip futbolli, por një histori suksesi që ka përfaqësuar me dinjitet Shkodrën dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Shpresa mbetet që të gjendet një zgjidhje dhe të ketë mbështetjen e nevojshme për të mos lejuar shuarjen e këtij projekti. Futbolli i femrave në Shkodër meriton të jetë sërish aty ku e ka vendin, në majën e futbollit shqiptar dhe mes skuadrave që bëjnë krenarë qytetin edhe në Europë.


