Shqipëria mbylli kualifikueset e Botërorit me një eliminim në “play off” duke i dhënë fund në këtë mënyrë shanseve për të shkuar për herë të parë në Kupën e Botës.
Humbja në Varshavë ndaj Polonisë, jo vetëm që i dha fund shanseve të Shqipërisë, por e ka lënë tashmë skuadrën tonë në një udhëkryq duke qenë se nuk dihet ende se çfarë do të bëhet në të ardhmen me stafin teknik.
Shqipërinë e pret një edicion në vjeshtë duke qenë se skuadra jonë do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve dhe është momenti perfekt për të nisur një cikël të ri, me apo pa trajnerin Silvinjo në krye të stolit kuqezi.
Ndërkohë, pritet që ditën e sotme të ketë edhe më shumë informacion në lidhje me të ardhmen e trajnerit në krye të stolit si edhe me të ardhmen e Shqipërisë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka do të dalë ditën e sotme në konferencë shtypi duke nisur nga ora 12:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania”, aty ku edhe do të jetë para mediave. Presidenti i FSHF-së do të flasë për të ardhmen e trajnerit Silvinjo, si edhe do të bëjë një rezyme të rrugëtimit të Shqipërisë në “play off”-in e Botërorit dhe të Kombëtares në përgjithësi nën drejtimin e trajnerit Silvinjo.
Kontrata e trajnerit do të përfundojë në fundin e muajit korrik dhe në fillim të vitit, kur u vendos për rinovimin e saj, ishte menduar sikur Shqipëria do të shkonte në Botëror dhe me përfundimin e Kupës së Botës, do të përfundonte edhe kontrata për të cilën do të vendosej më vonë.
Tashmë, gjërat kanë ndryshuar dhe eliminimi i Shqipërisë, është padyshim një peng i madh nga i cili mund të varet shumë e ardhmja e trajnerit Silvinjo.


