Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është shfaqur sot para mediave për një bashkëbisedim me gazetarët dhe aty ka zbuluar se si është situata me trajnerin e Kombëtares, Silvinjo dhe nëse pritet rinovimi i kontratës me të.
“Padyshim që prisnim më shumë dhe sipas meje edhe meritonim më shumë. Me atë që dhamë në fushë në Poloni, kompeticoni në përgjithësi ka qenë i mirë, në total, kualifikueset në grup, padyshim që kishte edhe ndeshje në të cilat nuk kanë qenë në pritshmëritë tona. Gjatë rrugëtimit të kualifikuesve, kishte paraqitje shumë të mirë ndaj kundërshtarit direkt, se ishte objektivi ynë për të qenë të dytët në grup, ndërsa kemi vuajtur me Lituaninë.
Me Anglinë, shumë skuadra në Europë kanë të vështirë të kenë performancë të mirë, por në “Air Albania” ishte mirë. Kualifikueset për mua ishin të suksesshme, për ta shtyrë për ta lidhur me trajnerin e stafin, janë më të mirat e historisë, në Europian ishin të parët në grup, në Botëror të dytët, që nuk ka ndodhur asnjëherë me parë. Padyshim dëshironim të shkonim në Botëror, mund të shkonim nga ajo ndeshje, ta provonim fatin.
Por duke u nisur nga kjo lloj minianalize, unë kam biseduar me trajnerin e ekipit menjëherë pasi jemi kthyer nga miqësorja torturuese me Ukrainën se të gjithë ishim të plagosur, ne më shumë se Ukraina, se ata nuk e kishin ndjerë sa ne. Dhe i kam thënë të njëjtat gjëra që sipas meje rrugëtimi i këtyre viteve është pozitiv. Por, një trajner e ndjen vetë dhe duhet ta ndjejë, një profesionist duhet ta ndjejë vetë nëse mund ta udhëheqë një skuadër. Ky është një pozicion që të konsumon, lojtarët nuk janë të lumtur kur nuk thirren, të ruash ato balanca, të kesh fuqi e akoma energji, e ndjen më shumë ai që është në drejtim.
E kam pyetur si e ndjen veten, nëse e udhëheq përsëri këtë skuadër apo jo. E kam detyrim që të jem transparent dhe po i them bisedat siç i kemi bërë me trajnerin. Ai më ka pyetur “Si e mendon ti?”. Në këndvështrimin tim ke energji akoma i thashë. Ai do marrë kohë për ta menduar dhe për të më dhënë përgjigje. Nuk do të thotë që nëse thotë po, ne do të ofrojmë një kontratë të re. Por do të vendosim para ndeshjeve të qershorit nëse ne do vazhdojmë me trajnerin apo me një tjetër.
Mbase kontrata duhej të ishte deri në mars në fund të play-off, por ne kishim rënë dakord që në nëntor e padyshim mund të kishte qenë ndryshe. Nuk mund të bënim kontratë deri në mars se do ishte demotivuese për skuadrën. I jepnim mesazh që nuk shkojmë në Botëror, ndaj kontrata e trajnerit është deri pasi të përfundojë Botërori. Diferencat janë shumë të vogla dhe përgatitja psikologjike e besimi te fitorja është ndër gjërat më të rëndësishme. E para është të bindësh veten që mund të arrijmë e pastaj ta çojmë te të tjerët”, tha Duka.


