Situata tek Dinamo nuk është krejtësisht e qetë në pragndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë, e cila do të luhet nesër në ora 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Trajneri Daja është i detyruar të menaxhojë me kujdes ngarkesën, pasi një pjesë e rëndësishme e skuadrës nuk është në 100% të formës. Në ndeshjen ndaj Tiranës munguan emra me peshë si Guindo, Berisha dhe Aliji, duke e ndjerë ndjeshëm mungesën e tyre në ekuilibrin e skuadrës. Problemet fizike vijojnë të mbeten prezente edhe për sfidën e radhës.
Guindo pritet të qëndrojë sërish jashtë, me shumë gjasa duke humbur edhe transfertën në Shkodër, ndërsa Lorran është një tjetër mungesë e sigurt për momentin. Mbrojtësi brazilian ka pësuar një tërheqje para duelit me Tiranën dhe do t’i duhet një periudhë rikuperimi disa ditore, në rastin më optimist, rikthimi i tij mund të zgjasë deri në dy javë. Në dyshim serioz mbetet edhe Neziri, i cili ka shfaqur shqetësime muskulore dhe nuk pritet të jetë gati në kohë për Vllazninë, për shkak të ngarkesës së lartë fizike që ka kaluar skuadra në javët e fundit.Sit
Megjithatë, ka edhe lajme më pozitive për “Blutë”. Aliji dhe Berisha duket se i kanë kaluar problemet fizike dhe janë rikthyer në dispozicion të ekipit për ndeshjen në Shkodër. Edhe pse prania e tyre në listë është e sigurt, mbetet e hapur mundësia që Daja të mos i aktivizojë nga minuta e parë, duke preferuar një menaxhim më të kujdesshëm të gjendjes së tyre. Në këtë mënyrë, Dinamo shkon drejt një ndeshjeje të rëndësishme me një skuadër ende të paqartë në aspektin fizik, ku rikuperimi dhe zgjedhjet taktike do të jenë po aq vendimtare sa edhe vetë loja në fushë.


