Sunday, May 3, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e Petrit Osmanit, trajnerit të shekullit të Vllaznisë në...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e Petrit Osmanit, trajnerit të shekullit të Vllaznisë në basketboll

Shkruar nga Gjergj KOLA

Në sportin e basketbollit në Shkodër ka me dhjetëra emra të shquar të cilët kanë kontribuar për Vllazninë dhe për këtë qytet. Ka patur edhe prej atyre që kanë dhënë një kontribut të madh edhe si sportist, por edhe si trajner. Pas Esat Haxhit, një tjetër emër i shquar do të ishte Petrit Osmani.

Dita e sotme në fakt është e veçantë për të sepse feston 84 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Petrit Osmani ka lindur në Shkodër mër 3 maj 1942 dhe jetën e tij do ia kushtonte sportit ku arriti të lërë gjurmë, fillimisht si lojtar e më pas si trajner.

Ai e ka filluar basketbollin në vitin 1960 me të rriturit dhe ka luajtur deri në vitin 1974. Gjatë këtyre viteve ka dalë kampion me ekipin e Partizanit (gjatë periudhës së kryerjes të shërbimit ushtarak) në sezonin 1964-75. Po ashtu do të dilte kampion me Vllazninë në sezonin 1966-67 dhe po ashtu fiton edhe tre Kupa Republike në vitet 1966, 1967 dhe 1968. Pikërisht për shkak të këtyre arritjeve, në vitin 1968 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”.

Në vitin 1972 ai do të ishte pjesë e ekipit të Vllaznisë madje në rolin e kapitenit në ndeshjen e Kupës së Europës ndaj Gallatasarajt, e cila i fitua nga Vllaznia duke u bërë kështu ekipi i parë shqiptar që fitonte një ndeshje në këto kompeticionet europiane.

Po ashtu ka qenë lojtar i kombëtares shqiptare në Ballkaniadën e vitit 1965 që u zhvillua në Tiranë dhe Osmani ka qenë titullar në 5-shen e parë në dy prej këtyre ndeshje të këtij kompeticioni të rëndësishëm.

Për disa vite me rradhë Petrit ka qenë në mes 10 shënuesve më të mirë të kampionatit shqiptar, madje në vitin 1971 ka qenë edhe pikëshënuesi më i mirë i kampionatit, çka tregon se kemi patur të bëjmë me një lojtar cilësor.

Pas lënies së sportit në vitin 1974, do të niste menjëherë punë si trajner dhe deri në vitin 1981 do të drejtonte ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Në vitin 1981 më pas emërohet trajner profesionist pranë Klubit Sportiv Vllaznia me ekipin e basketbollit të të rriturve dhe do ta mbante këtë detyrë për mbi 20 vjet.

Gjatë kësaj periudhe ka fituar 5 tituj kampion përkatësisht në sezonet 1989-90, 1992-93, 1996-97, 1997-98 dhe 1999-2000. Po ashtu edhe 4 kupa të Shqipërisë në vitet 1985, 1994, 1996 dhe 1998. Po ashtu në drejtimin e Vllaznisë ka fituar edhe një trofe të Superkupës në vitin 1999.

Nga ana tjetër, për 5 vite ka qenë trajner i ekipit kombëtar të të rinjve ku në vitin 1985 në Turqi është renditur në vendin e katërt duke patur dy fitore, ndaj Rumanisë dhe Turqisë së vendit të dytë.

Petrit Osmani ka punuar edhe në Kosovë dhe në vitin 2002 ka drejtuar ekipin Bashkimi të Prizrenit duke dalë dy herë në finalen e Kupës së Kosovës përballë ekipit “Sigal Prishtina”. U kthye në vitin 2004 sërish për të drejtuar Vllazninë dhe këtë e bëri deri në vitin 2012.

Por përpos detyrës së trajnerit, ai për 20 vite me rradhë ka punuar si mësues në shkolla të ndryshme të Shkodrës.

Për të gjitha këto arritje, duke qenë edhe trajneri më i suksesshëm, klubi Vllaznia me rastin e 100 vjetorit të krijimit të tij e vlerësoi si “Trajneri i Shekullit” në basketboll.

Po ashtu, Petrit Osmani është nderuar me tituj të lartë edhe nga institucionet e tjera. Kështu është nderuar me Urdhërin e Klasit të Parë dhe të dytë “Naim Frashëri” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit Shkodër” nga Bashkia Shkodër, është nderuar me “Medaljen e kontributit 50 vjeçar për rritjen dhe zhvillimin e basketbollit shqiptar” nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

Në vitin 2011 ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Po në vitin 2011 ka marrë “Medaljen e Artë” nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve. Ndërkohë në 70 vjetorin e klubit Partizani është nderuar me “Medaljen e Meritës” nga ky klub.

Petrit Osmani prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por ne në Shkodër na ka lënë emrin dhe veprat e tij. Me të cilat padyshim që krenohemi./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments