Sunday, May 3, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot është ditëlindja e historisë së gjallë të futbollit shkodran. Esat...

ALMANAK/ Sot është ditëlindja e historisë së gjallë të futbollit shkodran. Esat Bushati feston 97 vjetorin e lindjes

Shkruar nga Gjergj KOLA

Historia e futbollit shkodran sigurisht që ka vend edhe për të, madje ky personazh zë një vend shumë të rëndësishëm në të. E kemi fjalën për Esat Bushatin, ish- mbrojtësin e njohur i cili sot e ka festë. Mbush 97 vjeç dhe me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura! Esat Bushati është kësisoj historia e gjallë e futbollit shkodran

Esati Ka lindur në Shkodër më 3.5.1929. Të 17 vitet e karrierës së tij natyrisht që kanë lënë gjurmë tek të gjithë. Esat Bushati, mbrojtësi i njohur i Vllaznisë së viteve ’50, ka dhënë jo pak për futbollin. Këtë lojë shumë të dashur për të, ai e nis që herët. E ndihmojnë për t’u marrë me futboll karakteristikat e tij fizike, shkruan www.shkodrasport.com

Esati do të fillonte të luante me ekipin e parë të Vllaznisë në vitin 1947, menjëherë pasi ajo kishte fituar dy tituj rradhazi në vitet 1945 dhe 1946. Edhe këtë vit kur ai debuton me fanellën kuqeblu, skuadra shkodrane do ishte pretendente për titullin kampion deri në ndeshjen e fundit.Bushati do të luante në repartin e mbrojtjes përkrah një emri të madh si Muhamet Dibra duke qenë një lojtar bazë deri në vitin 1949 kur thirret në ekipin e Partizanit.

Sigurisht që përvoja e marrë duke luajtur përkrah Dibrës, Gjeloshit, Osmanit, Gjonit e Cufjes, do ta ndihmonin shumë atë tek skuadra e kuqe. Prandaj ai nuk e pati të vështirë të luante përkrah Spahiut e Fagut e lojtarë të tjerë që ishin njëkohësisht përveçse më të mirët e Partizanit, edhe bërthama e përfaqësueses sonë, shkruan Gazeta “Shkodra Sport”.

Në këtë mënyrë, profili i tij si sportist cilësor plotësohet gjithnjë e më shumë. Luan përveç Vllaznisë dhe Partizanit edhe me Sportklub Tiranën si përforcim në disa ndeshje miqësore ndërkombëtare. Po ashtu, do ishte edhe pjesë e kombëtares sonë në ndeshjet miqësore që ajo zhvilloi këtë periudhë me Spartakun e Moskës, Levskin e Sofjes etj. Me Partizanin ka luajtur deri në vitin 1954 duke u aktivizuar si mbrojtës i djathtë.

Një nga karakteristikat kryesore që ka shoqëruar Esat Bushatin në karrierën e tij ka qenë edhe qëndrimi shumë korrekt dhe i disiplinuar si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Po ashtu, ai fitoi edhe respektin e futbollistëve më të mëdhenj në moshë sepse gjithnjë i respektonte ato.

Esat Bushati nuk ka pasë mundësinë të dilte jashtë vendit për të luajtur ndeshje ndërkombëtare për shkak të biografisë së keqe dhe luftës së klasave megjithatë mbeti një futbollist i nderuar nga të gjithë. Ka luajtur me Vllazninë deri në vitin 1960 teksa sërish ka luajtur si mbrojtës i djathtë. Mbetet nje emer i respektuar i historise se futbollit shkodran./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments