Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do të përballet me Flamurtarin në javën e 36-të të kampionatit, në një ndeshje ku shkodranët kanë vetëm një objektiv: fitoren. Kuqeblutë kërkojnë ta mbyllin sezonin e rregullt me sukses, përpara nisjes së ndeshjeve të “Final 4”, aty ku do të vendoset gjithçka për titullin kampion.
Për këtë sfidë, trajneri Edi Martini pritet të bëjë disa ndryshime në formacion. Disa prej tyre vijnë për shkak të mungesave, ndërsa të tjera lidhen me menaxhimin e lojtarëve para ndeshjeve finale të sezonit. Në portë pritet të aktivizohet Jukaj, me Pohls që mund të lihet pushim për këtë takim.
Ndryshime do të ketë edhe në repartin defensiv. Mungesa e Bajramit detyron stafin teknik të riformatojë mbrojtjen, ku nga minuta e parë pritet të luajnë Pusi, Çelikoviç dhe Kuros. Një repart që do të ketë detyrën të mbajë ekuilibrin e skuadrës dhe të shmangë surprizat ndaj vlonjatëve.
Në mesfushë pritet të ketë hapësira për disa lojtarë që kanë marrë më pak minuta në javët e fundit. Në krahë pritet të aktivizohen Gurishta dhe Hakaj, edhe pse ky i fundit mbetet në balotazh me Jagon. Ndërsa në qendër të repartit pritet të luajnë Sala, Qato dhe Krymi, lojtarë që do të mbajnë peshën kryesore të organizimit të lojës.
Edhe në sulm ka ende dilema për formacionin titullar. Balaj nuk është i sigurt nëse do ta nisë nga minuta e parë, me stafin teknik që po mendon t’a ruajë për sfidat e “Final 4”. Në rast se sulmuesi nuk aktivizohet titullar, një alternativë e mundshme mbetet Kubazi, i cili mund të marrë hapësira ndaj FlamurtarNë formacion pritet të jetë edhe Murataj, ndërsa Martini synon të gjejë balancën mes rezultatit dhe menaxhimit të grupit. Pavarësisht ndryshimeve, objektivi i Vllaznisë mbetet i qartë: të marrë tre pikët në këtë ndeshje finale të sezonit që luhet në Shkodër.


