Tirana ka triumfuar në transfertë përballë Elbasanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 36-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 1-3, pas këtij dueli ka folur trajneri i “verdhebluve”, Ivan Gvozdenovic.
“Jam shumë i mërzitur. Faleminderit shumë tifozëve, para dhe pas ndeshjes. Tifozëve tonë do u them që tani në Final Four do të jemi më shumë të motivuar dhe do të luftojmë më fort. Jam pak i mërzitur për mbrojtjen, Elbasani deri më sot gjithmonë kur ishte fanatik në mbrojtje, dilte mirë.
Ndoshta këto 2-3 ndeshje ishim të butë dhe s’kemi qenë gati për luftë sportive në fushë. Do të reagojmë deri në Final Four deri në ndeshjen e parë. Jam i sigurtë që do të rregullojmë gabimet.
Ne do të punojmë nga ana psikologjike, është një problem momental që e kemi. Ishim pak në gjumë. E kishim arritur objektiv Evropë dhe ishim me mendjen tek festa dhe jo tek fusha. Ky ka qenë gabimi ynë, i stafit. Tani e dimë çfarë është problemi dhe këto 4-5 ditë do të punojmë dhe do të futemi të përgatitur në Final Four.
Ne e dimë se çfarë është problemi. E thashë që jam i bindur që çunat bashkë me stafin do të reagojnë më mirë dhe do të rregullojnë gjërat deri kur të jetë Final Four. Sot shumë gjëra nuk ishin mirë. Tirana shënoi një gol shumë të shpejtë në pjesën e parë, por edhe në të dytën.
Kur ndryshova Lilën, jo se ai luajti keq, por ishte ideja që të fitonim një lojtar ofensiv si Diallo. Diallo, Ze Gomes, Boye ishin lojtarë me karakteristika sulmuese. Ishin 6 lojtarë shumë ofensivë gjithsej. Kjo ishte ideja pse ndryshova pozicionin e Lilës me Lajthinë. Kishim nevojë për durim dhe krosime. Kur shënuam ishim akoma në lojë, por doli si doli goli i 3-të. Nuk ishim fanatikë të fazës mbrojtëse dhe pësuam golin e 3-të. Kemi nevojë të punojmë shumë në fazën difensive.
Sot e humbët vendin e parë, 100 milionët shkojnë në Shkodër. U mërzitët që s’i merr presidenti apo që mund t’i kishit marrë ju premio? Për të gjitha bashkë jemi mërzitur, edhe ne, por edhe presidenti. Minus financiar për ne. Ndoshta një gjë pozitive në Final Four është që ne do të vazhdojmë si vend i parë, avantazh i vogël për ne”, tha Gvozdenovic.


