Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka siguruar matematikisht vendin e parë në kampionat dhe praninë në “Final 4”, aty ku do të vendoset edhe titulli kampion i edicionit 2025-26 në futbollin shqiptar. Kuqeblutë rikthehen mes skuadrave pretendente për trofeun madhor, në një fazë finale që pritet të sjellë emocione, rivalitet dhe shumë diskutime deri në javën e fundit.
Formati i kampionatit dhe llogaritë e renditjes kanë krijuar jo pak paqartësi në javët e fundit, duke ndezur debate të shumta në rrjetet sociale dhe mes tifozëve. Rregullorja e “Final 4” ka sjellë interpretime të ndryshme, sidomos për avantazhet që lidhen me renditjen dhe përballjet direkte, çka e ka bërë edhe më të tensionuar garën për titullin.
Megjithatë, te Vllaznia situata mbetet e qartë: gjithçka është në këmbët e skuadrës shkodrane. Fati i sezonit duket se do të vendoset në përballjen finale ndaj KF Elbasani, një duel që mund të marrë vlerën e një finaleje të vërtetë për titullin kampion.
Edhe në rast se Egnatia apo Dinamo marrin pikë në ndeshjet e tyre ndaj kuqebluve. Sërish gjithçka për Vllazninë do të kalojë nga sfida direkte me Elbasanin. Një fitore në atë takim do të vlente më shumë se tre pikë, pasi do t’i afronte kuqeblutë me objektivin më të madh të sezonit.
Në të njëjtën kohë, skuadra shkodrane është e detyruar të kërkojë suksesin edhe për shkak të disavantazhit në ndeshjet direkte gjatë sezonit të rregullt. Ky detaj mund të ketë peshë vendimtare në llogaritë finale dhe e bën sfidën ndaj Elbasanit edhe më delikate për ekipin e drejtuar nga stafi kuqeblu.
Pas një sezoni me ulje-ngritje, Vllaznia ka mbërritur në momentin ku gjithçka varet nga vetja. Rruga drejt titullit kampion kalon nga këmbët e futbollistëve shkodranë, të cilët tashmë kanë mundësinë ta mbyllin sezonin duke rikthyer trofeun në Shkodër.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


