Monday, May 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPARADOKSI/ Pika më tepër në renditje e Vllaznisë nuk vlen në fund...

PARADOKSI/ Pika më tepër në renditje e Vllaznisë nuk vlen në fund të kampionatit!!!

Federata Shqiptare e Futbollit është gjendur e papërgatitur për disa detaje që kanë të bëjnë me renditjet apo dhe fakti se cilat skuadra do bien nga kategoria dhe cilat do ngjiten. Shembulli më i mirë është rënia e Bylisit në kategorinë e parë dhe ngjitja e Bylis B po në këtë kategori. Me rregullore kjo nuk lejohet dhe Bylis “B” do të zbresë sërish në të dytën. Problemi është se kush do ta zëvendësojë atë në kategorinë e parë?

Kukësi, Butrinti dhe Shiroka janë shprehur hapur se presin ata të jenë në këtë kategori, por megjithatë nga FSHF ende nuk ka një vendim se si do të veprohet sepse një problematikë e tillë nuk ka qenë e parashikuar në rregulloret e saj.

Një tjetër paradoks është Superiorja. U bë shumë zhurmë për renditjen nëse do ta ishte Vllaznia apo Elbasani në vendin e parë në fund të 36 javëve, por kuptohet që pika e cila ishte më shumë për shkodranët në renditje vlente dhe si rrjedhojë janë ata të parët pavarësisht se pas përgjysmimit të pikëve janë në të njëjtën kuotë me elbasanasit.

Por a do të vlejë kjo pikë në fund të kampionatit nëse dy skuadrat e mbyllin sërish me pikë të barabarta? Për fat të keq jo sepse në rregulloren e FSHF-së thuhet se në rast barazimi të pikëve, vlen ndeshjet direkte dhe me to është Elbasani që ka një gol më shumë të shënuar në përballjet direkte dhe pikërisht falë tij do të dilte ai kampion!!!

Ta zëmë se si Vllaznia ashtu edhe Elbasani në fund të ndeshjeve të “Final 4” do të merrnin nga 7 pikë, (nga dy fitore secila dhe barazim në sfidën mes tyre) dhe këto dy ekipe do ta mbyllnin kampionatin me pikë të barabarta, nga 38 secili. Dhe kampionë do të ishin verdheblutë, pikërisht për shkak të një goli më shumë sesa kuqeblutë.

Një situatë paksa absurde sepse në total, në fund të 39 ndeshjeve të kampionatit, Vllaznia do të kishte të grumbulluar 70 pikë por kampion do të dilte Elbasani me 69 pikë!!! Një paradoks që tregon se rregulloret e Federatës nuk janë bërë ashtu si duhet. Nëse që në fillim është thënë se skema e “Final 4” është kopjuar nga kampionati belg, në fakt atje pika vlen dhe kampione do të dilte skuadra që në fund të të gjithë ndeshjeve ka më shumë pikë të grumbulluara.

Ndërsa në Shqipëri nuk vlen dhe kampion mund të dalë skuadra me një pikë më pak të grumbulluar. Diçka vërtetë absurde, por që tashmë nuk mund të ndryshohet dhe prandaj futbollistëve të Vllaznisë do t’u duhet t’i bëjnë llogaritë për t’i fituar të gjitha ndeshjet.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments