Për Real Madridin ishte një mbrëmje makthi në “Camp Nou” duke qenë se pësoi një humbje të dyfishtë. Fitorja e Barcelonës në “El Clasico” i dhuroi gjithashtu edhe titullin kampion.
Një poshtërim i dyfishtë për madrilenët, të cilët dukeshin të brishtë, të rraskapitur dhe plotësisht në mëshirën e kundërshtarit. As mediat spanjolle nuk kanë treguar mëshirë për skuadrën e Arbeloas.
Gazeta “Marca” shkruan: “Një ekip kampion, një tjetër në rrënoja”.
“AS” gjithashtu mbajti një qëndrim të ashpër: “Nuk ka justifikime. Dallimi midis dy ekipeve është i dukshëm në fushë dhe, në vitet e fundit, edhe në trofe”.
Kritikat shënjestruan edhe Mbappe, i cili mungonte, por është ende në qendër të debatit.
Gazetari Tomas Roncero u përplas: “Real Madridi nuk ka futboll, nuk ka talent. Dhe ylli i tyre nuk e merr seriozisht. Ajo që bën ai në Instagram nuk është serioze. Dua një konferencë për shtyp dhe një kërkim falje për tifozët e Madridit”.


