Shkruar nga Endri ÇINARI
Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias në sezonin 2025-26 të Superiores kanë folur dukshëm në favor të shkodranëve. Kuqeblutë kanë ruajtur një ecuri pozitive ndaj rivalëve nga Rrogozhina, duke mos njohur asnjë humbje në katër sfidat e zhvilluara deri më tani. Një statistikë që padyshim i jep besim skuadrës së Vllaznisë në prag të përballjes së pestë mes dy ekipeve në fazën “Final 4”.
Gjithçka nisi në javën hapëse të kampionatit, aty ku Vllaznia dha menjëherë sinjalet e një skuadre pretendente. Shkodranët triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Egnatias, falë golave të Gurishtes dhe Bajramit. Një fitore e pastër dhe bindëse, ku kuqeblutë dominuan në lojë dhe treguan forcën e tyre që në startin e sezonit.
Në fazën e dytë, dy ekipet dhuruan një nga ndeshjet më spektakolare të kampionatit. Në Rrogozhinë sfida përfundoi në barazim 2-2, pas një dueli të luftuar deri në minutat e fundit. Për vendasit realizuan Jajhaja dhe Jaime, ndërsa për Vllazninë shënuan Kallaku dhe Balaj, duke bërë që shkodranët të dilnin sërish me pikë nga transferta ndaj kampionëve në fuqi.
Edhe përballja e fazës së tretë konfirmoi superioritetin e Vllaznisë në duelet direkte të këtij sezoni. Një gol i Kallakut rezultoi vendimtar për suksesin minimal 1-0 të kuqebluve, në një sfidë ku skuadra shkodrane tregoi personalitet ndaj një ekipi me cilësi. Ndërkohë, dueli i fazës së katërt ishte më i balancuar dhe u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0, duke bërë që Vllaznia të ruante rekordin pa humbje ndaj Egnatias.
Në prag të ndeshjes së pestë mes dy skuadrave në “Final 4”, statistikat dhe precedentët e këtij sezoni janë një tregues pozitiv për Vllazninë. Dy fitore dhe dy barazime në katër përballje tregojnë qartë se shkodranët kanë ditur ta lexojnë mjaft mirë lojën e Egnatias. Tashmë, kuqeblutë synojnë të vazhdojnë këtë trend pozitiv edhe në sfidën më të rëndësishme të sezonit, aty ku çdo detaj mund të rezultojë vendimtar në garën për titullin kampion.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


