Shkruar nga Gjergj KOLA
Historia e atletikës shkodrane në vitet 1960-’70 ka qenë në majat më të larta, teksa nën drejtimin e trajnerit Feti Dizdari u fituan disa tituj kampionë me ekipin e femrave. Një ndër protagonistet e këtij ekipi ka qenë pikërisht Angjelina Gurakuqi.
Po ndalemi sot te kjo ish-kampione dhe rekordmene, sepse ajo feston 75-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Kampionia jonë ka lindur më 23 maj 1951 në Shkodër dhe që në rininë e saj iu përkushtua sportit të atletikës. Ajo ka konkurruar me sukses për shumë vite në garat e 100 metrave me pengesa, 200 metrave dhe në kërcim së gjati.
Ndonëse karriera e saj u ndërpre përkohësisht për shkak të një dëmtimi të rëndë, ku theu këmbën, sërish në histori kanë mbetur 10 rekordet kombëtare që ajo theu, 9 prej tyre në kërcim së gjati dhe 1 në 200 metra me pengesa.
Pa përmendur këtu edhe titujt e shumtë kampionë në kërcim së gjati, 100 dhe 200 metra me pengesa, si dhe në pesëgarësh e shumëgarësh. Jo më kot është vlerësuar si “Atletja e Shekullit” e Vllaznia.
Angjelina Gurakuqi ka qenë anëtare e ekipit kombëtar shqiptar për shumë vite me radhë dhe ka marrë pjesë në aktivitete të shumta ndërkombëtare. Për të gjitha këto arritje është nderuar edhe me titullin “Mjeshtre Sporti”. Sakaq, me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Vllaznia, ajo është vlerësuar si një prej “Atleteve të Shekullit” të këtij klubi.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


