Tuesday, July 21, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREKonfirmohet lajmi i ‘Shkodra Sport’, Erald Çinari prezantohet te Jeju SK

Konfirmohet lajmi i ‘Shkodra Sport’, Erald Çinari prezantohet te Jeju SK

Shkruar nga Endri ÇINARI

Ashtu siç ishte raportuar disa ditë më parë nga “Shkodra Sport”, tashmë gjithçka është zyrtare. Sulmuesi shkodran Erald Çinari është prezantuar këtë të martë si futbollist i ri i Jeju SK, skuadër që militon në elitën e futbollit të Koresë së Jugut. Me këtë lëvizje, 29-vjeçari nis një aventurë të re në futbollin aziatik, duke firmosur një kontratë për një sezon e gjysmë.

Transferimi konfirmon informacionin ekskluziv të publikuar më herët nga “Shkodra Sport”, ndërsa Çinari tashmë është bashkuar me ekipin e tij të ri dhe pritet të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik. Sulmuesi shqiptar do të kërkojë të japë kontributin e tij në kampionatin korean, një prej më konkurruesve në kontinentin aziatik.

Për Çinarin kjo është një tjetër eksperiencë e rëndësishme në karrierën e tij, e cila vazhdon të pasurohet me aventura jashtë vendit. Pas paraqitjeve me Vllazninë dhe Partizanin në Shqipëri, ai provoi futbollin turk me Samsunspor, më pas atë të Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën, Armeninë me Noah dhe sezonin e kaluar ishte pjesë e Al Jabalain në Arabinë Saudite.

Tashmë sfida e radhës për shkodranin është në Korenë e Jugut, ku synon të lërë gjurmë edhe me fanellën e Jeju SK. Me eksperiencën e fituar në disa kampionate të ndryshme dhe cilësitë e tij në repartin ofensiv, Çinari shpreson të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën koreane dhe të vazhdojë të përfaqësojë denjësisht futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments