Shkruar nga Endri ÇINARI
Te Vllaznia alarmi për gjendjen fizike të dy prej lojtarëve të repartit difensiv vazhdon të mbetet prezent në prag të sfidës së fundit sezonale. Bëhet fjalë për zëvendës kapitenin Erdenis Gurishta dhe mbrojtësin e krahut, Kuros, të cilët dolën me probleme fizike nga përballja e fundit ndaj Egnatias, duke shtuar shqetësimet në kampin kuqeblu.
Situata më serioze duket ajo e Erdenis Gurishtës. Mbrojtësi shkodran u detyrua të lërë fushën i dëmtuar pas një përplasjeje të fortë në pjesën e hundës gjatë takimit me kampionët. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një frakturë që nuk konsiderohet e lehtë për t’u kaluar dhe që kërkon kujdes të veçantë nga stafi mjekësor i skuadrës. Gjithsesi, te Vllaznia nuk kanë humbur shpresat që lideri i mbrojtjes të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se Gurishta mund të aktivizohet me një maskë mbrojtëse speciale, një zgjidhje e përdorur shpesh në raste të tilla për të shmangur agravimin e dëmtimit. Vendimi final pritet të merret vetëm pas ekzaminimeve të tjera mjekësore dhe konsultave të fundit me stafin shëndetësor, ndërsa vetë lojtari ka shfaqur dëshirën për të mos munguar në sfidën që mbyll sezonin.
Jo më pak shqetësuese ishte edhe situata e Kuros në minutat e fundit të sfidës ndaj Egnatias. Mbrojtësi i majtë u pa i shtrirë në tokë pas përfundimit të takimit, duke krijuar momente ankthi te stafi teknik dhe tifozët kuqeblu. Megjithatë, sinjalet që vijnë nga kampi shkodran janë më pozitive në raport me gjendjen e tij fizike.
Te Vllaznia kanë garantuar se gjendja shëndetësore e Kuros rezulton optimale dhe nuk ka vend për alarm serioz. Pavarësisht kësaj, lojtari do t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve shtesë në fillim të javës, më shumë për të shmangur çdo komplikacion të mundshëm dhe për të vlerësuar me saktësi gjendjen e tij para ndeshjes së fundit të sezonit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


