Nga Engjëll Gjolaj
Pas dy javë nis Kampionati Botëror i futbollit dhe tashmë të gjithë kanë filluar të bëjnë prognozat e tyre se çfarë presim nga ky eveniment shumë i rëndësishëm, cilat do të jenë ekipet pretendente dhe çfarë risish mund të sjellë ai. Gazeta “Shkodra Sport” i ka marrë një intervistë përgatitësit atletik të njohur Aurel Locaj i cili ka pranuar me kënaqësi të flasë për ne. Ai ka folur njëkohësisht edhe për suksesin e Besëlidhjes në sezonin e fundit apo dhe të ardhmen e tij.
Aurel, jemi vetëm dy javë para startit të Kampionatit Botëror. Si e shihni këtë edicion dhe çfarë prisni prej tij?
Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. Mendoj se kjo Kupë Bote do të jetë shumë spektakolare dhe me shumë gola, pasi në letër shohim ekipe me diferenca të mëdha mes tyre. Pikërisht këto diferenca besoj se do të sjellin ndeshje të hapura dhe shumë gola gjatë turneut. Madje, nuk do të çuditesha nëse kjo Kupë Bote do të thyente edhe rekordin për numrin më të madh të golave në histori.
Cilin ekip shihni si favorit dhe cilat mendoni se janë kombëtaret më pretendente?
Sipas mendimit tim, Franca është ekipi më i kompletuar në çdo repart, me lojtarë të nivelit botëror dhe një organikë shumë cilësore. Gjithashtu, ka një trajner që di të menaxhojë kampionë dhe personalitete të mëdha, gjë që nuk është aspak e lehtë. Edhe Brazili mbetet një nga favoritët kryesorë. Me ardhjen e Carlo Ancelottit në stol, besoj se do të bëjnë një kampionat shumë të mirë, pasi ai është një trajner me eksperiencë dhe mentalitet fitues.
Meqë përmendët Ancelottin, si e vlerësoni mënyrën se si ai mund ta menaxhojë ekipin dhe si ju duk grumbullimi i Neymar?
Mendoj se Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit. Nuk jam dakord me mediat që thonë se ai ishte nën presion për të grumbulluar Neymarin. Përkundrazi, besoj se ai përdori një strategji shumë inteligjente, për ta mbajtur Neymarin me këmbë në tokë dhe për t’i treguar se vendi në kombëtare duhet të fitohet dhe të meritohet, jo të merret si dhuratë.
Një pyetje jashtë temës së Botërorit. Si e komentoni sezonin e kaluar të Besëlidhjes dhe çfarë prisni nga sezoni i ri?
E kam thënë edhe më parë se Besëlidhja do ta mbyllte kampionatin me diferencë pikësh nga vendi i dytë dhe ashtu ndodhi. Ishte dhe vazhdon të jetë një ekip që, me gjithë respektin për kategorinë, nuk e meriton të jetë në Kategorinë e Dytë. Skuadra bëri diferencën ndaj kundërshtarëve në çdo aspekt: organizim, cilësi dhe mentalitet. Për sezonin e ri është më e vështirë të jap një mendim konkret, sepse kategoria është shumë e fortë dhe rivaliteti është i madh. Duhet shumë punë dhe investim serioz për të arritur ngjitjen në Superligë, por ua uroj me gjithë zemër.
Dhe pyetja e fundit: ku do ta shohim Aurelin sezonin e ardhshëm?
Sinqerisht, aktualisht nuk kam asnjë plan apo ofertë konkrete. Jam totalisht i fokusuar te Kombëtarja U-17, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme gjatë muajit qershor.
Aurel, të uroj shumë suksese dhe shpresoj që sa më shpejt të të shohim në një projekt të ri, sepse emra si ti duhet patjetër të jenë pjesë e skuadrave më të mira të trojeve shqiptare. Dhe mos refuzo më shumë ekipe si vitin e kaluar — këshillë nga dikush që të njeh që në fëmijëri.
Faleminderit shumë për vlerësimin dhe për intervistën, i mrekullueshmi Engjëll Gjolaj. Shumë respekt!


