Ish- mesfushori i Vllaznisë Rejan Alivoda ka mbyllur një sezon të suksesshëm në aspektin personal me skuadrën e tij Kalba në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe prej disa ditësh ndodhet në Shkodër. Aty ku nuk e ka ndalur stërvitjen dhe pasditen e sotme ishte i pranishëm në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” duke zhvilluar stërvitje individuale.
Si rrjedhojë kjo ka bërë që të takohet me shumë prej shokëve të tij pjesë e Vllaznisë me të cilët ka biseduar rreth fundit të sezonit. Nga ana tjetër, në një prononcim të dhënë për Gazeta “Shkodra Sport” ai u shpreh se ende beson tek titulli kampion i kuqebluve ndonëse në pamje të parë shanset janë shumë të pakta.
“Unë këtë vit kam besuar shumë tek Vllaznia megjithatë besoj edhe tek kjo ndeshja e fundit sepse mundësitë janë, ndonëse shanset duken të pakta por gjithsesi mundësitë janë. Djemtë kanë zhvilluar një sezon të mirë dhe ndoshta në disa ndeshje nuk kanë qenë të mira për to, por ky është futbolli.
Por, e përsëris, unë besoj tek çunat sepse kanë bërë një sezon të lodhshëm e plot sakrifica dhe prandaj shpresoj që këtë ndeshje të fundit ta mbyllin mirë”- është shprehur Alivoda.


