Me 44 gola në kampionat, Megi Doçi meritoi një tjetër “Këpucë të Artë”, ndërsa la vulën e saj edhe me një perlë në finale, duke i hapur rrugë fitores së Vllaznisë kundër Apolonisë me rezultatin 2-0. Në një prononcim për mediat, Doçi komenton fitimin e titullit nga skuadra shkodrane.
“Është titulli i 13- të si për Vllazninë, gjithashtu edhe për mua. Është emocion kur shënon dhe aq më tepër kur shënon nëpër finale, kështu që shpresoj që të vazhdoj gjithmonë kështu. Patjetër që është emocion, mund, djersë dhe sakrificë. Sukses që ka mundin e vet brenda, kështu që mendoj që për secilën nga ne është shpërblimi i punës së bërë që prej fillimit të kampionatit dhe deri tani në ‘Final 4’, ku nuk e patëm aspak të lehtë.
Realisht nuk e kuptoj vlerësimin e federatës, pasi lenë një finale në orën 16:00, ku është e pamundur për t’u luajtur, ndërsa djemtë i zhvillojnë ndeshjet në orën 21:00 në darkë. Do kisha shumë dëshirë që edhe ne të kishim vlerësim më të madh”, u shpreh fillimisht Doçi. Më pas bomberja kuqeblu u ndal te Championsi, aty ku këtë edicion Shqipëria do të dërgojë dy ekipe, Vllazninë dhe Apoloninë:
“Shqipëria është me fat që ka një ekip si Vllaznia e vajzave, pasi dërgojmë dy ekipe në Champions dhe kjo është falë Vllaznisë. Tani do të jetë bashkë me ne edhe Apolonia. Është bërë një punë e jashtëzakonshme prej vitesh, si nga stafi teknik, gjithashtu edhe nga presidenti Lazër Matija, i cili investon prej më shumë se 15 vitesh. Mendoj që do të bëjmë sërish mirë në Kupat e Europës dhe me disa përforcime shpresojmë që të japim më të mirën, duke i bërë krenarë të gjithë shqiptarët.
Për të qenë konkurruese me ekipet e mëdha në Kupat e Europës, si Çelsi, Real Madridi, PSG, sigurisht që na duhet mbështetje financiare. Ajo që ka arritur Vllaznia nuk është e lehtë, pasi është diçka që nuk ndodh çdo herë. Shpresoj që në vazhdimësi të afrohen donatorë, gjithashtu të afrohet edhe bashkia”, përfundoi Megi Doçi.


