Egnatia ka triumfuar përballë Dinamos në ndeshjen e vlefshme për Final Four të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 2-0 në favor të rrogozhinasve.
Këta të fundit që u shpallën kampionë në “Abissnet Superiore”, për herë të 3-të radhazi. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri fitues i këtij sezoni, Nevil Dede.
“Kampion me 6 ndeshje? Duhet të jesh më shumë fat besoj. Në këtë botë Zoti ka disa ekuilibra të çuditshëm, kur nuk e pret merr një dhuratë të tillë. Demrozi dhe Egnatia na dhanë mundësi të luftonim për dy trofe, por ia dolëm me më të rëndësishmin. Mendoj se është meritë e Demrozit dhe drejtori Klejdi Zenelaj. Padyshim edhe të punës së Edlir Tetovës. Në Superiore trofeu i parë. Kur u ndërrua që ndeshjet do të luheshin në të njëjtën ditë, thashë “Nevil ka ardhur koha që të shpallesh kampion”. Emocionet janë të mëdha.
Familja ime që është mbrapa kamerave, vjen shpesh në Elbasan dhe janë mësuar me trofe të tillë. Unë besoj që kualiteti dhe cilësia e djemve në fushë dhe ndërtimi i skuadrës, gjithë ajo administratë e klubit, është ajo që solli suksesin. Unë pata mundësinë të bëja disa prekje të vogla, në motivim dhe në anën psikologjike. Unë kam fituar një kampionat me anën psikologjike. Ishim out-sider në fillim të Final Four dhe mendova që duhet të ishim të duruar dhe vrastarë. Golat i shënuam në këtë formë dhe golat i shënuan shumë shpejtë dhe kuptuan gjithçka. Komplimentoj Dinamon që mbylli garën me dinjitet, ne e fituam dhe merituam titullin kampion. Bravo Dinamos për paraqitjen sot, nuk u dorëzuan pavarësisht mungesave. Të katër finalistët që ishin, u uroj sukese në Evropë.
Imazhi ynë në Evropë është i rëndësishëm për nivelin dhe të ardhmen e futbollit tonë. Aventura evropiane? Jemi pak euforikë, mund të themi gjëra të tilla. Jemi brenda llogjikës. Eksperienca që ka krijuar Egnatia, duhet të kalojë turin e parë të Champions League, e kam motiv për veten time, është minimumi, që të kemi shanset për grupe. Vitet kanë kaluar për Egnatian, eksperienca është marrë. Ky është objektiv i arritshëm. Pak fat duhet, sidomos te shorti.
Çfarë mendon, vjet komentove Egnatian pas titullit? Është një vazhdimësi e këtij klubi dhe mbi të gjitha urtësia që kanë. Nuk ka qenë sezon i barabartë me atë të kaluar, Egnatia ka pasur shumë luhatje. Ka pasur humbje që e kishin rënduar psikologjinë e Egnatias. Kur mora drejtimin, për 6 javë të bëhesh kampion, e ke gjetur diçka gati, s’je magjistar. Skuadra ndryshoi në mënyrë 180 gradë, u kthye në krahun tjetër pë mirë. Djemtë më ndoqën, shumë gjëra s’mund t’i përmirësoja për kaq pak ditë.
Aleksi ka bërë një punë të mirë dhe na mungonte sot. Në kaq pak javë duhet të ndryshosh vetëm mendjen e sportistit, që minimumi të besojë te vetja dhe te grupi. Si mund ta ktheja një ekip me katër humbje? Distanca të vogla, bllok i mesëm dhe besim në cilësitë që kemi. Në të tre ndeshjet e Final Four unë shoh golat fotokopje, jo në të njëjtën formë, por në formën e llogjikës.
Prandaj thashë që e ndiej veten me fat. Kur mora këtë skuadër, e thithën shumë shpejtë, nuk kishte nevojë për kohë. Kishim Kupën, dy ndeshje kampionati para Final Four dhe koha nuk ishte në dispozicion. Ata e kuptuan direkt, ja pse jam me fat. Ata janë mësuar në të tilla nivele. Eksperienca bëri punën e saj.
Ke fituar shumë tituj si futbollist, nga ndryshon ta fitosh si trajner, një restart në karrierën tënde? E drejtë është. Unë mendoj që shumë vite eksperiencë në nivele të ndryshme, ndoshta jam gati të bëj këtë ndryshim në historinë e profesionit tim. Ndryshimi mes lojtarit e trajnerit? Nuk e di çfarë të them, do e mendoj në ditët në vijim. Lojtari shijon momentin dhe veten, ndërsa trajneri ka aq shumë gjëra në kokë, saqë nuk mendon dot për veten në këtë aspekt. Unë jam i lumtur që jam një nga trajnerët kampionë të Shqipërisë, e quaj veten me fat. Ajo që kam objektiv dhe motiv brenda vetes, do të motivojmë njëri-tjetrin për të shkuar minimumi në Conference League. Duhet të kalojmë një tur Championsi.
Sa besim ke patur? Përpos meritës të Edlir Tetovës, 3 elementë si Gruda, Fangaj dhe Bakayoko ishin në momente të vështirë, por i ringjalle? Unë ringjalla të gjithë skuadrën. Lojtarët ishin të gëzuar në stërvitje, takoheshim që të gjithë njëri me tjetrin. Çdokënd që do hidhja në fushë, do të bënte maksimumin. Unë kam një parim në jetë, kush guxon fiton. Unë s’kam patur frikë kurrë edhe në nivele më të ulëta. Eksperiencat e mia më sollën në këtë moment, e meritoj ta shijoj. S’kam bërë asnjë foto me Kupën, po më pret familja”, tha Dede.


