Mes dëshirave, objektivave dhe ëndrrave, kaloi një çerek shekulli, plot 25 vite, që sportdashësit shkodranë, futbollistët, trajnerët dhe presidentët prisnin të rrumbullakosnin stafetën e pasardhësve të ish-presidentit të Vllaznisë, të ndjerit Myftar Çela, kur Vllaznia u shpall kampione për herë të nëntë në sezonin 1990-1991, me trajner malazezin Dervish Haxhiosmanoviç dhe ndihmësin e tij Esat Rakiqi, i cili simbolin e Vllaznisë e kishte të betonuar në zemër.
Për të arritur shifrën 10 të titujve kampionë u angazhuan me radhë biznesmenë dhe deputetë shkodranë në rolin e presidentëve, si Agron Çela e Valter Fushaj. Më pas, Vllaznia u bë pronë e Bashkisë, me kryetarin Lorenc Luka dhe kryetaren Voltana Ademi.
U angazhuan jo më pak se 10-15 trajnerë shkodranë dhe të huaj në pankinën e Vllaznisë, një privilegj për këdo që drejtonte klubin më të vjetër të futbollit shqiptar: A. Canaj, H. Lika, R. Luçi, E. Martini, M. Radonjiç, M. Josa, E. Plori, R. Vata, A. Grima, Shpëtim Duro, A. Bushati, S. Nika, B. Ranieri, L. Zmijani, A. Cungu, E. Gjoka, M. Jonuzi, H. Dedja, A. Miloti, M. Memelli, Q. Osmani, disa prej tyre edhe nga dy herë.
Pa përmendur dhjetëra futbollistë të afruar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e më tej.
Titulli kampion, megjithë deklaratat në fillim të çdo sezoni se ky ishte objektivi, mbeti shumë larg realitetit me të cilin përballej Vllaznia, e cila notonte në ujëra të turbullta.
Madje, falë edhe formulës vrastare të kampionatit me 10 ekipe, i erdhi radha edhe Vllaznisë të përjetonte rënien në Kategorinë e Parë në sezonin 2017-2018.
Vitet që pasuan sollën më shumë probleme sesa zgjidhje: vështirësi në realizimin e merkatos cilësore, mungesë fondesh, presione nga futbollistë dhe familjarë të tyre për t’u aktivizuar edhe pse ishin jashtë nivelit teknik për të veshur fanellën e Vllaznisë. Pse jo, edhe presione që detyronin trajnerët të jepnin dorëheqjen.
Afrimi i trajnerit gjermano-kroat Thomas Brdariç dhe blerja e klubit Vllaznia nga biznesmeni shkodran Alban Xhaferi më 31 gusht 2021 hapën një dritë shprese se futbolli shkodran do të rikthehej te tradita e tij dhe do të bëhej sërish pjesë e jetës së përditshme të familjeve shkodrane.
Pjesëmarrja në kupat e Europës dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë po afronin edhe realizimin e ëndrrës së kahershme për titullin kampion, por një golavarazh më i dobët ndaj Teutës në sezonin 2020-2021 e privoi Vllazninë nga ky titull.
Dhe prologu mbyllet në këtë edicion me “Final 4”, ku Vllaznia de facto është kampione, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë me 63 pikë, por “Final 4” e rrëzon nga froni dhe e lë në vendin e tretë.
Deri kur FSHF-ja do të vazhdojë me eksperimente të tilla, duke u tallur me futbollistët, sportdashësit dhe me një kryesi që i nënshtrohet një kolltuku 24-vjeçar?
Ai ndoshta do t’i përmbysë këto eksperimente.
Le të presim gushtin me rregulloren e re, por sërish me 10 ekipe.


