Tuesday, June 2, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Admir...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Admir Teli

Shkruar nga Gjergj KOLA

Brezi i futbollistëve të datëlindjes 1981 ka qenë një nga më të mirët për Vllazninë e pas viteve ’90. Pjesë e këtij brezi ishin emra që kanë lënë gjurmë me ekipin e Vllaznisë si Amarildo Belisha, Albert Kaçi, Edmond Doçi, Gasper Ndoja, por edhe Admir Teli e ndonjë tjetër.

Sa i takon këtij të fundit, ai pikërisht sot ka ditëlindjen. Ish-mbrojtësi i qendrës së kuqebluve feston 45-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ka lindur në Shkodër më 2 qershor 1981 dhe është lidhur në moshë të re me futbollin. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi gjyshi i tij ishte i madhi i futbollit shkodran, Muhamet Dibra. Kalon të gjitha ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe shpallet kampion me të rinjtë nën drejtimin e trajnerit Ismet Hoxha në sezonin 1998-99.

Më pas kalon me të rriturit në vitin 1999, ndërkohë që dy vjet më vonë është pjesë e Vllaznisë që do të shpallej kampione e Shqipërisë, titull ky që është i fundit aktualisht i fituar nga kjo skuadër.

Do të vazhdonte të luante me ekipin shkodran deri në vitin 2008, kur fitoi edhe Kupën e Shqipërisë pas fitores në finale 2-0 ndaj Tiranës, në ndeshjen e luajtur në Elbasan.

Më pas largohet drejt Turqisë, ku firmos për ekipin Hacettepe, me të cilin luan vetëm një vit, për të kaluar në Azerbajxhan, duke iu bashkuar ekipit Qarabag, me të cilin do të luante për gjashtë vite me radhë, nga 2009 deri në vitin 2015.

Gjatë këtyre viteve të karrierës së tij, ka qenë pjesë e vazhdueshme e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave, madje duke mbërritur deri te ekipi i parë, me të cilin ka luajtur në 19 ndeshje dhe padyshim që këto ndeshje do të mbeten gjatë në memorien e tij si momentet më të bukura të karrierës sportive.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments