Ndriçim Shtubina me shumë mundësi do të largohet nga Akademia Vllaznia dhe do të ulet në pankinën e një skuadre tjetër. Bëhet fjalë për atë të Besëlidhjes ku pritet të marrë rolin e zëvendëstrajnerit tek kjo skuadër duke zënë kështu vendin e Alket Krujës, i cili e mbylli bashkëpunimin me lezhjanët para dy ditësh.
Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burime pranë klubit lezhjan i cili duket shumë i vendosur për të ndërtuar një skuadër të fortë për sezonin e ri ku do të synojë ngjitjen në Superiore. Shtubina kësisoj pritet të jetë krahu i djathtë i Elvis Plorit në pankinë.
Kujtojmë që pas mbylljes së karrierës sportive si futbollist, Shtubina e nisi punën si drejtues në Rrogozhinë aty ku fillimisht bëri detyrën e drejtorit sportiv dhe më pas atë të trajnerit të ekipit U21. Më pas u rikthye në Shkodër duke u emëruar zëvendëstrajner i ekipit të parë të Vllaznisë duke punuar fillimisht krahas Memellit dhe më pas me Qatip Osmanin.
Më pas u emërua kordinator i Akademisë Vllaznia, ndërsa në sezonin që po mbyllet bëri edhe detyrën e trajnerit duke drejtuar fillimisht ekipin U19 dhe tashmë po drejton atë U14 me të cilin pretendon të fitojë titullin kampion.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


