Sezoni 2025-2026 u mbyll, por skuadrat që do të marrin pjesë në Kupat e Europës, përfshi këtu edhe Vllazninë, nuk do të kenë shumë kohë për të pushuar. Kjo sepse Kupat e Europës janë në prag për to dhe ndeshjet e para të sezonit të ri do të luhen më 9 korrik.
Nga ana tjetër është bërë e ditur se shorti i turit të parë të Conference League (kompeticion ku marrin pjesë shkodranët bashkë me elbasanasit dhe Dinamon), do të hidhet më 16 qershor dhe ai i turit të dytë një ditë më vonë.
Nga ekipet shqiptare, vetëm Vllaznia është më e favorizuara në short, falë edhe koefiçentit të saj teksa e sheh veten mes skuadrave më të forta para hedhjes së shortit. Ajo e sheh veten në mes 26 skuadrave që konsiderohen favorite sëbashku edhe me Shkëndijën e Tetovës, Ballkanin etj.
Ndërkohë në krahun tjetër kundërshtarë të mundshëm të saj mund të jenë edhe Malisheva, Petrovac, Sileks, skuadra këto të vendeve pranë nesh, por ka edhe të tjera që janë shumë larg. Në pamje të parë konsiderohet një short i favorshëm dhe i kalueshëm për kuqeblutë.
Megjithatë, tashmë duhen pritur goglat. UEFA një ditë para shortit, do t’i ndajë skuadrat në grupe më të vogla në bazë të koefiçenteve dhe aty do të mësohen edhe kundërshtarët e mundshëm të Vllaznisë.



