Tuesday, June 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFundi i sezonit, tek Vllaznia nisin konfrimimet dhe riformatimet

Fundi i sezonit, tek Vllaznia nisin konfrimimet dhe riformatimet

Shkruar nga Endri ÇINARI

Me përfundimin e sezonit 2025-26 të Superiores, te Vllaznia nuk ka kohë për pushime. Drejtuesit kuqeblu kanë nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës që do të përfaqësojë Shkodrën në edicionin 2026-27, një sezon që pritet të jetë mjaft i rëndësishëm për ambiciet e klubit si në kampionat, ashtu edhe në arenën europiane.

Një nga lëvizjet e para duket se ëshrë konfirmimi në stol i trajnerit Edi Martini. Tekniku shkodran pritet të vazhdojë projektin e nisur këtë sezon, me objektivin e qartë për të tentuar edhe një herë rikthimin e titullit kampion në Shkodër. Pas një sezoni me ulje-ngritje, por ku skuadra arriti të qëndrojë mes pretendentëve, drejtuesit besojnë se vazhdimësia në pankinë është elementi i duhur për të ndërtuar një ekip edhe më konkurrues.

Paralelisht me çështjen e trajnerit, klubi ka avancuar edhe në bisedimet për rinovimin e kontratave me disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të grupit. Duket se marrëveshjet me Dros, Pohls, Murataj, Kallaku, Kastrati dhe Qato janë pranë finalizimit, duke i dhënë Vllaznisë mundësinë të ruajë një bërthamë solide edhe për sezonin e ardhshëm. Ruajtja e kësaj baze konsiderohet një hap i rëndësishëm për të shmangur revolucionet e mëdha në merkato dhe për të garantuar vazhdimësi në lojë.

Ndërkohë, ende mbetet e hapur çështja e Eslit Salës. Mesfushori është në diskutime me klubin për një rinovim të mundshëm, por deri tani palët nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare. Megjithatë, situata pritet të marrë një drejtim të qartë gjatë ditëve në vijim, teksa drejtuesit po punojnë për të sqaruar të gjitha çështjet kontraktuale para nisjes së fazës përgatitore.

Por jo gjithçka do të jetë në funksion të vazhdimësisë. Te Vllaznia pritet të ketë edhe largime të rëndësishme, madje të disa prej protagonistëve të sezonit që sapo u mbyll. Dyshja e krahëve, Mala dhe Jago, duket shumë pranë transferimit te kampionët e saposhpallur të Egnatias. Bëhet fjalë për dy futbollistë me peshë të konsiderueshme në lojën e kuqebluve, largimi i të cilëve do të krijonte boshllëqe që duhen plotësuar me kujdes në merkaton e verës.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit shkodranë do të duhet të lëvizin shpejt në treg. Koha nuk është në favorin e tyre, pasi përgatitjet për sezonin e ri do të nisin shumë shpejt dhe Vllaznia ka përpara edhe sfidën europiane. Fillimisht, fokusi do të jetë te paraqitja sa më dinjitoze në Conference League, përpara se skuadra të kthejë vëmendjen te objektivat madhorë në kampionat. Vera pritet të jetë e nxehtë në Shkodër, me shumë lëvizje në hyrje dhe dalje, ndërsa synimi mbetet i pandryshuar: ndërtimi i një Vllaznie që të luftojë sërish për trofe.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments