Kombëtarja shqiptare ka nisur me humbjen epokën “Maran”, duke u mposhtur nga Izraeli në miqësore. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 0-1. Pas këtij dueli ka folur edhe portieri shkodran Alen Sherri.
“Duke marrë parasysh edhe situatën që vij nga një sezon që jam aktivizuar shumë pak. Nuk e prisja të them të drejtën të luaja mirë sot. U mundova të jap maksimumin. Nuk ke nevojë për motiv kur luan për Kombëtaren, unë e provoj për herë të parë sot. Kur luan me Kombëtaren është një ndjesi që të ecin këmbët vetë, është ndjesi komplet tjetër. Më vjen mirë për paraqitjen, por keq për rezultatin.
Nëna e mori vesh e para që jam titullar. Është pak problem edhe kur ia them edhe kur s’ia them, ka emocione shumë. Sot i thashë rri e qetë. Ndihet krenare si çdo prind për fëmijën e vet. Është e rëndësishme për familjen tonë, e kam pritur shumë gjatë të them të drejtën. Jam shumë krenar që më ndodhi para familjes time, prindërve dhe djalit tim. Kjo më bën të lumtur”, tha Sherri.


