Ditët e fundit Gazeta “Shkodra Sport” duke iu referuar medieve kosovare bëri të ditur se Vllaznia ishte e interesuar për të marrë shërbimet e mbrojtësit të majtë të Ferizajt Qlirim Avdulli. Madje po sipas këtyre burimeve, palët kishin avancuar në bisedime dhe akordi dukej shumë pranë.
Por ndërkohë nga sa bëhet e ditur, së fundi ka shfaqur interes për këtë lojtar edhe ekipi i Dinamos. Në vitet e fundit, drejtuesit e kësaj skuadre kanë mbetur të kënaqur nga ky treg, duke afruar lojtarë si Neziri, Berisha apo Zabërgja, i shitur sezonin e shkuar për mijëra euro në Ukrainë. Kështu, së fundmi në pistë ka dalë një tjetër emër që mund të bashkohet me Dinamon.
Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve blu është Qlirim Avdulli. Mbrojtësi i majtë i Ferizajt po kalon një periudhë të shkëlqyer në karrierën e tij dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të spikatur në pozicionin e tij në futbollin kosovar.
Pas një sezoni ku spikati jo vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese, Avdulli ka hyrë në radarët e disa klubeve të rëndësishme dhe tashmë mbetet për t’u parë se ku do ta shohim duke luajtur, për më tepër që skuadra e tij ka rënë nga Superliga e Kosovës.


