Sunday, June 7, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot 70 vjetori i lindjes së gazetarit, radiokronistit dhe fotografit Engjëll...

ALMANAK/ Sot 70 vjetori i lindjes së gazetarit, radiokronistit dhe fotografit Engjëll Gjolaj

Shkruar nga Gjergj KOLA

Historia e publicistikës sportive në Veri të vendit ka në gjirin e saj, prej shumë e shumë vitesh, edhe një emër të njohur: Engjëll Gjolajn. Njeriun që ka luajtur rolin e fotografit, radiokronistit, por edhe të gazetarit sportiv, duke dhënë një kontribut të madh për sportin lezhjan dhe jo vetëm.

Po ndalemi sot te ky personazh, sepse ai feston ditëlindjen. Mbush 70 vjeç dhe, me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe të lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura bashkëpunëtorit tonë!

Ka lindur më 7 qershor 1956 dhe është rritur në Lezhë, por me origjinë është nga Malësia e Madhe. Do të dashurohej shumë shpejt me sportin, duke qenë një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë që prej vitit 1970.

Në vitet ’80, ndërkohë, me aparatin e tij fotografik do të ishte i pranishëm thuajse në çdo stadium të Shqipërisë, duke fiksuar në celuloid momentet më të spikatura të ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Emri i tij do të ishte i pranishëm çdo javë në shtypin e shkruar sportiv.

Pas viteve ’90 do të merrte edhe rolin e radiokronistit për ndeshjet e futbollit që transmetoheshin nga stadiumi “Besëlidhja” i Lezhës, ndërsa do të bashkëpunonte si gazetar sportiv edhe me disa media të njohura në vend.

Prej dy dekadash tashmë jeton në Itali së bashku me familjen e tij. Megjithatë, vazhdon të jetë aktiv, duke qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës “Shkodra Sport” për pasqyrimin dhe evidentimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në këtë vend, të cilët po spikasin me talentin e tyre në sporte të ndryshme.

Përkushtimi i tij ndaj sportit dhe gazetarisë sportive mbetet një shembull i vyer për brezat e rinj, ndërsa pasioni për Vllazninë dhe sportin shqiptar vazhdon ta shoqërojë edhe sot.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments