Friday, June 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFaza përgatitore, Vllaznia pritet të nisë 'zborin' në Slloveni

Faza përgatitore, Vllaznia pritet të nisë ‘zborin’ në Slloveni

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas ditëve të para të punës në Shkodër, Vllaznia është gati të hyjë në një tjetër etapë të rëndësishme të përgatitjeve për sezonin e ri. Kuqeblutë pritet të lënë qytetin këtë të diel, për t’u transferuar drejt Sllovenisë, aty ku do të zhvillojnë fazën kryesore përgatitore në prag të angazhimeve zyrtare në arenën europiane.

Skuadra shkodrane do të qëndrojë për rreth 10-12 ditë në tokën sllovene, periudhë gjatë së cilës stafi teknik synon të rrisë intensitetin e ngarkesave fizike dhe të konsolidojë grupin përpara sfidave të rëndësishme që e presin. Objektivi kryesor mbetet arritja e formës optimale për debutimin në edicionin e ri të Conference League, ku Vllaznia do të nisë rrugëtimin e saj europian që në raundet e para.

Faza në Slloveni konsiderohet vendimtare edhe për harmonizimin e futbollistëve të afruar gjatë merkatos me pjesën tjetër të ekipit. Trajneri dhe stafi i tij do të kenë mundësinë të testojnë variante të ndryshme taktike, si dhe të krijojnë një ide më të qartë për formacionin që do të zbresë në fushë në ndeshjet zyrtare të verës.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, kuqeblutë pritet të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore. Këto përballje do të shërbejnë si një test i rëndësishëm për nivelin aktual të skuadrës, por edhe për të vlerësuar gjendjen e secilit futbollist pas javëve të para të punës. Rezultatet do të kenë rëndësi dytësore, ndërsa fokusi kryesor do të jetë te ritmi i lojës dhe funksionimi i grupit.

Me afrimin e sfidave europiane, Vllaznia po hyn në fazën më intensive të verës. Drejtuesit dhe stafi teknik shpresojnë që ditët në Slloveni të shërbejnë për të hedhur themelet e një sezoni të suksesshëm, ku objektivat mbeten të larta si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në kampionatin shqiptar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments