Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas ndarjes së rrugëve me Vllazninë, e ardhmja e Esin Hakajt pritet të jetë një nga temat më interesante të merkatos verore. Mbrojtësi i majtë, i cili për disa sezone ishte një nga figurat më të rëndësishme të kuqebluve, tashmë është lojtar i lirë dhe emri i tij po qarkullon në tavolinat e disa klubeve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Burimet bëjnë me dije se interesimi për 30-vjeçarin nuk mungon. Në Superiore, dy skuadra që kanë shfaqur konkretisht interes janë Vora dhe Skënderbeu. Të dy klubet kanë kërkuar informacione mbi situatën e mbrojtësit shkodran dhe kanë nisur kontaktet e para për të kuptuar mundësinë e një marrëveshjeje. Bisedimet janë ende në fazat fillestare, por interesimi duket serioz dhe mund të marrë zhvillime në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, gara për shërbimet e Hakajt nuk kufizohet vetëm në futbollin shqiptar. Interes për të ka edhe nga Kosova, ku disa skuadra të elitës po monitorojnë situatën e tij. Eksperienca e gjatë në nivele të larta dhe aftësitë e treguara në krahun e majtë e bëjnë atë një profil tërheqës për ekipet që kërkojnë siguri dhe cilësi në repartin defensiv.
Hakaj konsiderohet nga shumë specialistë si një prej mbrojtësve të majtë më të mirë që ka prodhuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit. Gjatë karrierës së tij ai ka veshur fanellat e skuadrave si Vllaznia, Teuta dhe Elbasani, duke grumbulluar një eksperiencë të konsiderueshme dhe duke qenë vazhdimisht një nga lojtarët më të spikatur në rolin e tij.
Pikërisht kjo eksperiencë e bën shkodranin një “okazion” të vërtetë në merkato. Në një periudhë kur shumë skuadra janë në kërkim të futbollistëve me cilësi dhe personalitet, Hakaj përfaqëson një alternativë të gatshme për të dhënë kontribut të menjëhershëm. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës i mbrojtësit, por një gjë është e sigurt: emri i Esin Hakajt do të vazhdojë të jetë ndër më të përfolurit e kësaj vere në tregun e transferimeve.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


