Anthony Joshua realizoi një rikthim dramatik dhe spektakolar në ring, duke mposhtur me nokaut në raundin e dytë Kristian Prengën në duelin kryesor të mbrëmjes në Xhedah të Arabisë Saudite.
Ndeshja nisi në mënyrën më të papritur të mundshme. Vetëm pak sekonda pas gongut hapës, Prenga goditi Joshuan me një uppercut të fuqishëm, duke e rrëzuar britanikun në dysheme.
Joshua u ngrit, por gjatë pjesës së mbetur të raundit dukej i paqëndrueshëm, madje u lëkund edhe në fund të raundit, duke krijuar përshtypjen se boksieri shqiptar kishte kontrollin e plotë të meçit.
Ishte një nga fillimet më të vështira në karrierën e Joshua-s dhe një moment që habiti publikun në arenë dhe komentatorët britanikë.
Megjithatë, në raundin e dytë Joshua ndryshoi tërësisht ritmin e përballjes. Ai filloi të përdorte më mirë grushtin për të fituar distancën, ndërsa kombinimet me të djathtën filluan të gjenin objektivin.
Ndërsa Prenga u tërhoq dhe humbi iniciativën që kishte ndërtuar në raundin e parë, Joshua fitoi besim me çdo goditje të pastër.
Me rreth 40 sekonda të mbetura në raundin e dytë, Joshua shpërtheu me një seri goditjesh të fuqishme që e dërguan Prengën në tapet.
Boksieri nga Mirdita nuk arriti të ngrihej brenda numërimit të gjyqtarit dhe ndeshja u ndërpre me fitore me nokaut teknik për Anthony Joshua./Telegrafi/


